Vendosni fjalën kyçe....

Prokurori suedez: Shpërthimi në tubacionin e gazit akt i rëndë sabotazhi


Shpërthimet që shkaktuan dëme të konsiderueshme në tubacionet Nord Stream pranë ishullit danez të Bornholm në fund të shtatorit ishin rezultat i “sabotazhit të rëndë”, konfirmuan prokurorët suedezë.

“Analizat që janë kryer tani tregojnë gjurmë të eksplozivit në disa nga objektet e huaja që u gjetën,” tha në një deklaratë të premten prokurori publik Mats Ljungqvist, i cili është përgjegjës për hetimin paraprak për shpërthimet.

Për momentin nuk ka të dhëna se kush është fajtori për ngjarjen dhe hetimet janë duke vazhduar.

“Hetimi paraprak është shumë kompleks dhe i gjerë. Hetimi i vazhdueshëm paraprak duhet të tregojë nëse dikujt do i ngrihen dyshimet për kryerjen e ndonjë një krimi”, thuhet në deklaratë.

Hetuesit suedezë do të vazhdojnë të bashkëpunojnë me autoritetet vendase dhe vendet e tjera. Prokuroria ka kërkuar durim.

“Është e rëndësishme që ne të mund të punojmë në paqe dhe të qetë,” tha Ljungqvist, duke shtuar se ai nuk mund të jepte informacione të mëtejshme dhe nuk do të ishte i disponueshëm për shtypin.

Më 27 shtator, shpërthimet nënujore çanë të dy tubacionet Nord Stream 1 dhe 2, duke çuar në rrjedhje të mëdha metani.

Edhe pse pretendimet për sabotim të mundshëm kanë qarkulluar që nga incidenti, kjo shënon herën e parë që konfirmohet një veprim i qëllimshëm që shkaktoi dëme në tubacion.