Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë e Lirisë, Silva Caka ka reaguar lidhur me ndjesën publike të kryeministrit Edi Rama, pas lajmit të tij të rremë në lidhje me investitorin arab që do të ndërtojë Portin e Durrësit.
“Po ç’të të falin më përpara shqiptarët ty?
Që përpiqesh t’i ngopësh me lugë bosh e propagandë? Apo që edhe pse propaganda të bie në tokë, ti prapë nuk heq dorë nga vjedhja?
Edhe këtë postimin si firmat tek inceneratorët e hodhe? Pam, pam, pam???”– shkruan Caka.
Ky reagim i Cakës vjen pasi më herët sot kryeministri Edi Rama ka kërkuar falje në lidhje me postimin që bëri dje mbi kompaninë Alabbar që do të ndërtojë portin e Durrësit.
Në postimin e djeshëm ai shprehej se e njëjta kompani do ndërtonte “Manhatanin e Zagrebit”, por kjo rezultoi se nuk ishte e vërtetë pasi projekti ishte bllokuar pas protestave të opozitës dhe qytetarëve kroatë.
Rama tha se një kontroll i thjeshtë do të mjaftonte për të mos gabuar dhe kërkoi falje.
“Postimi i djeshëm mbi ‘Manhatanin e Zagrebit’ nuk reflekton të vërtetën e ecurisë së mëtejshme të projektit dhe kërkoj ndjesë për nxitimin! Një kontroll i thjeshtë do mjaftonte për të mos gabuar, por kush s’është gënjeshtar as bën sikur s’ka gjë as nuk justifikohet, po kërkon falje!”– shkruan Rama.