Vendosni fjalën kyçe....

Austria kundër zgjerimit të zonës Shengen


Austria nuk do e mbështesë zgjerimin e zonës Shengen tani për tani, tha ministri i Brendshëm Gerhard Karner, duke përmendur kontrollet e dobëta në kufijtë e jashtëm të zonës.

Komenti i tij erdhi menjëherë pasi Komisionerja e BE për Çështjet e Brendshme Ylva Johansson sugjeroi se ishte koha që Bullgaria, Kroacia dhe Rumania të bëhen palë në marrëveshje.

Duke folur për gazetën austriake Kurier të premten, Karner tha: “Është periudhë e papërshtatshme për zgjerimin e zonës Shengen, kur sistemi i kufijve të jashtëm nuk funksionon.” Ministri përmendi rrjedhën e vazhdueshme të emigrantëve nga Ballkani. Ai vuri në dukje se më shumë se 90,000 migrantë të paligjshëm janë kapur në Austri që nga fillimi i këtij viti.

Karner paralajmëroi se ‘zgjerimi i një sistemi të prishur nuk mund të funksionojë’. Ai përsëriti se ‘mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së ka dështuar’.

Raporti sugjeroi se një zgjerim i mundshëm i zonës pa kufij do ishte një temë e diskutueshme në takimin e posaçëm të ministrave të Brendshëm të BE-së javën e ardhshme.

Komenti i zyrtarit austriak erdhi menjëherë pasi Johansson argumentoi të mërkurën se ishte ‘koha e duhur për të mirëpritur’ Bullgarinë, Kroacinë dhe Rumaninë në zonën Shengen, duke u bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së të mbështesin pranimin e tyre.

Votimi pritet të bëhet më 8 dhjetor, ndërsa për të hyrë në fuqi duhet të mbështetet njëzëri nga 27 vendet e BE-së.

E krijuar në vitin 1995, zona Shengen përfshin të gjitha vendet anëtare të BE-së, përveç tre vendeve të lartpërmendura, Irlandës e Qipros. Katër vende të tjera jashtë bllokut janë gjithashtu pjesë e zonës: Islanda, Lihtenshtejni, Norvegjia e Zvicra.