Digjet makina e një biznesmeni të njohur në Lezhë. Ngjarja ndodhi rreth orës 4 të mëngjesit të sotëm.
Në momentin kur u përfshi nga flakët, automjeti ndodhej i parkuar në oborrin e banesës tre katëshe në Lezhë të biznesmenit Ndue Pjetrushi (Noshi) i cili ushtron aktivitet në fushën e hidrokarbureve.
“Rreth orës 04:00, në Ishull Shëngjin, është konstatuar duke u djegur mjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetasit N. P. 66 vjeç, banues në Lezhë.
Mjeti ka qenë i parkuar në anë rruge dhe për pasojë është djegur plotësisht.
Grupi hetimor vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes si dhe përcaktimin e shkakut te djegies.”- njoftoi sot policia.
Pas ngjarjes biznesmeni ka folur për mediet. Pjetrushi tha për “News 24” se kishte dëgjuar fillimisht një shpërthim të mbytur dhe më pas ka parë makinën e parkuar në flakë.
Ai pretendon se nuk ka konflikte me njeri.
“Rreth orës 4 pa 10 diçka e tillë isha në gjumë, kur kam dëgjuar një shpërthim të mbytur. Kam dalë në ballkon e kam parë makinën duke e djegur. Në moment kam lajmëruar policinë. Erdhi policia dhe zjarrfikësja dhe bën procedurat e veta. Nuk kam asnjë konflikt me askënd, të gjithë që më njohin e dinë që nuk jam i problemeve. Unë merrem me biznes në fushën e hidrokarbureve. Shteti bën punën e vet. Mund të jetë dhe zjarrvënie e qëllimshme, mund të ketë marrë dhe vetë. Atë mund ta nxjerrë vetëm hetimi. Kamerat nuk kanë punuar, DVR ka pas probleme dhe e kam çuar për ta riparuar.”- tha biznesmeni.