Vendosni fjalën kyçe....

Bullgaria arreston pesë persona për sulmin me bombë në Stamboll


Pesë persona janë arrestuar në Bullgari në lidhje me shpërthimin fatal në qendër të Stambollit, tha të shtunën Siyka Mileva, një zëdhënëse e Prokurorisë së Përgjithshme bullgare.

Sipas transmetuesit BNT, tre nga të arrestuarit janë shtetas moldavë, ndërsa dy të tjerët, një burrë dhe një grua, janë me origjinë arabe. Ata u akuzuan se kishin ndihmuar një nga autorët e sulmit të largohej nga Turqia duke ofruar mbështetje logjistike dhe komunikim.

Një bombë shpërtheu në një rrugë turistike të njohur në qytetin më të madh të Turqisë të dielën, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur më shumë se 80.

Autoritetet turke thanë se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), një grup kurd i listuar si një organizatë terroriste nga Turqia, SHBA-ja e BE, ishte përgjegjëse për sulmin. PKK mohoi çdo përfshirje në shpërthim.

Të premten, një gjykatë në Stamboll autorizoi burgosjen e 17 të dyshuarve në pritje të gjykimit, duke përfshirë një grua siriane të quajtur Ahlam Albashir, e cila akuzohet për vendosjen e eksplozivëve në vendngjarje.

Mediat turke raportuan se policia e Stambollit kishte arrestuar të shtunën tetë persona të tjerë në lidhje me shpërthimin. Mësohej se dy nga të dyshuarit kishin ndihmuar Albashirin dhe një autor tjetër të dyshuar për të hyrë ilegalisht në vend.