Policia ka shpallur në kërkim efektivin Ermir Doda lidhur me dhunën ndaj gazetarit Adriatik Doçi.
Dyshohet se Doda ka larguar nga vendi i ngjarjes me motor autorin e dyshuar të sulmit, Redon Skutera, shkruan Shqiptarja.
Efektivi Ermir Doda, banues në Bathore, është efektiv i Komisariatit 4 në Tiranë. Ai dyshohet si person me precedent kriminal, korrier droge në Angli e ‘ushtar’ një grupit criminal me lidhje deri në Dubai.
Dyshohet se emri i Dodës ka dalë nga dëshmia e dhënë në polici nga Redon Skutera, autori i dyshuar i dhunës ndaj gazetarit Adriatik Doçi.
Skutera e Doda po hetohen për pjesëmarrje në disa vrasje me pagesë.
Skutera nga ana e tij e ka emrin e parë Redon Pëllumbi dhe është person me precedent kriminal. ai është arrestuar një vit më parë për plagosje me dashje ndërsa është e paqartë sesi ka mundur t’i shpëtojë drejtësisë.
Ai është arrestuar gjithashtu edhe për shitje lëndësh narkotike. Mësohet se Skutera ka pranur autorësinë e sulmit. Gazetari Adriatik Doçi ka pohuar se nuk i njeh dhe nuk i ka dëgjuar kurrë si emra as Ermir Dodën dhe as Redon Skuterën.
Gazetari Doçi u dhunua pranë banesës së tij në Kamëz paraditen e 13 nëntorit.
Për ngjarjen u arrestua dje 32-vjeçari Skutera, lindur në Berat e banues në Tiranë ndërsa dyshohet se dhuna ndaj Doçit ka të bëjë me punën e tij si gazetar.
Dhuna ndaj gazetarit është denoncuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e nga rrjeti rajonal i gazetarëve ‘Safejournalists’.