Vendosni fjalën kyçe....

Dosja e inceneratorit të Fierit/ Si “shpërbleheshin” me udhëtime Bllako, Dervishaj e Kondi nga Klodian Zoto


Zbulohen detaje nga dosja çoi në arrest në burg 10 të akuzuar dhe 1 në arrest shtëpie për inceneratorin e Fierit.

Në dosjen e siguruar nga “Report Tv” dhe “Shqiptarja.com përmenden udhëtimet që biznesmenët e inceneratorëve bënë me supervizorin Arben Dervishaj, ish-deputetin socialist Alqi Bllako si dhe ish-drejtoreshën e dhënies së koncesionit Etleva Kondi.

Në kohën që Dervishaj ishte në detyrë si mbikëqyrësi i punimeve tek inceneratori i Fierit, ka udhëtuar nga Tiranë në Torino për të ndjekur në stadium ndeshjen mes Juventus dhe Barcelonës, dhe të gjitha pagesat janë kryer nga Klodian Zoto, në një vlerë prej 2250 Euro.

Po ashtu, ai thuhet se udhëtori në drejtim të Tel Avivit në Izrael, me tranzit nga Stambolli, bashkë me vajzën e tij. Ata qëndruan në hotel “Crowne Plaza Tel Aviv” dhe pagesa është bërë sërish nga Klodian Zoto në shumën 1920 $.

“Nga këqyrja në sistemin TIMS, rezulton se shtetasi Arben Dervishaj ka udhëtuar me avion me datë 10/06/2017 nga Rinasi, Tiranë në drejtim të Stambollit, Turqisë dhe me datë 11/06/2017 ka udhëtuar nga Stambolli, Turqi në drejtim të qytetit të Tel Aviv, Izrael, se bashku me vajzën e tij, Rea Dervishaj. Me datë 14/06/2017 është kthyer në Shqipëri. Pagesa e biletës së avionit për këtë udhëtim është paguar nga shtetasi Klodian Zoto. Po ashtu rezulton se shtetasi Klodian Zoto ka paguar edhe shumën prej 1920 $ për qëndrimin e shtetasit Arben Dervishaj dhe vajzës së tij në Hotel ‘Crowne Plaza Tel Aviv në qytetin e Tel Aviv, Izrael, kjo e dokumentuar nga të dhënat e statement bankar të llogarisë së shtetasit Klodian Zoto, pranë bankës Intesa San Paolo, me nr. 44484435101.

Nga këqyrja në sistemin TIMS, rezulton se shtetasi Arben Dervishaj ka udhëtuar me avion me datë 11/04/2017 nga Aeroporti Rinas, Tiranë, në drejtim të qytetit të Torinos, Itali dhe pastaj me date 12/04/2017 është kthyer nga qyteti i Romës në drejtim të Tiranës, Shqipëri, me qëllim për të ndjekur ndeshjen e futbollit që do të zhvillohej ndërmjet ekipit të Juventus dhe ekipit të Barcelonës. Bileta për të ndjekur ndeshjen në stadium për shtetasin Arben Dervishaj, në vlerën prej 2250 Euro, është paguar nga shtetasi Klodian Zoto.

Keto vlera monetare të tjera, të përfituara në mënyrë të parregullt nga shtetasi Arben Dervishaj, në vlerën 1920 dollar dhe 2250 euro, janë dhënë nga shtetasi Klodian Zoto, në kohën kur shtetasi Arben Dervishaj, ishte caktuar me detyrën ‘Mbikqyresi i Punimeve tek Inceneratori i Fierit’, ndërkohë që shtetasi Klodian Zoto ishte një ndër aksionerët e shoqerise koncesionare përfituese të Inceneratorit të Fierit, ‘Integrated Technology Ëaste Treatment Fier’ sh.p.k.”– thuhet në dosjen e SPAK-ut.

Dervishaj shkon për të ndjekur Juventusin në stadium, këtë radhë ndërsa luante me Ajax në 2019-ën. Këtë radhë ai udhëton me Alqi Bllakon, përsëri me paratë e Klodian Zotos.

“Nga aktet e administruara rezulton se me date 16.04.2019 në qytetin e Torinos, Itali është zhvilluar ndeshja e futbollit ndërmjet ekipit të Juventus dhe ekipit të Ajax, kjo e dokumentuar nga procesverbali i këqyrjes date 18.05.2022. Rezulton se biletat për të ndjekur ndeshjen e futbollit në stadium, për shtetasin Alqi Bilako dhe shtetasin Arben Dervishaj, janë prerë nga shtetasi Klodian Zoto në vlerën prej 1680 Euro secili.

Nga aktet e marrë nëpërmjet letërporosisë nga Autoritetet Italiane të Drejtësisë, konkretisht Prokuroria e Torinos, akte të ekzekutimit të përcjellë nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Posaçme, ka rezultuar se shtetasit Alqi Bllako, Klodian Zoto dhe Arben Dervishaj kanë qëndruar tek Hotel Victoria, Torini, via Nino Costa nr.4., nga data 16.04.2019 deri me datë 17.04.2019, pagesat e qëndrimit të tyre tek Hotel Victoria, Torini, via Nino Costa nr.4., në vlerën prej 357euro secili, janë kryer nëpërmjet kartës të llojit Mastercard, me nr. 5240 9603 2116 9249.”– thuhet në dosje.

Përveç Dervishajt dhe Bllakos, edhe anëtarja e Komisionit të dhënies së koncesionit, Etleva Kondi ka udhëtuar me paratë e Zotos.

Sipas dosjes së SPAK-ut të publikuar nga Shqiptarja.com, Kondi ka udhëtuar nën shoqërinë e vajzës së saj në shkurt të vitit 2016 në Romë dhe ka qëndruar në të njëjtin hotel me Mirel Mërtirin dhe Arenc Myrtezanin, e janë kthyer me të njëjtin fluturim drejt Shqipërisë.

Vetëm për Kondin, Klodian Zoto thuhet se pagoi 842.74 Euro për qëndrimin në hotel.

“Gjithashtu rezulton se anëtarja e Komisionit të dhënies së koncesionit së bashku me vajzën e saj kanë qëndruar në të njëjtin hotel me shtetasit Mirel Mertiri si dhe Arenc Myrtezani, tek hotel ‘Baglioni Hotel Regina’, Rome, Itali nga data 26.02.2016 deri në datë 28.02.2016 dhe pagesa e qëndrimit në këtë hotel për të gjithë këta persona, është bërë nga shtetasi Klodian Zoto, në vlerën totale prej 1689.18 Euro, ndërsa vlera e qëndrimit tek ky hotel vetëm për anëtaren e komisionit të dhënies së koncesionit, shtetasen Etiveva Kondi, ka qenë 842,74 Euro.”– thuhet më tej në dosjen e SPAK-ut.

Pagesat janë kryer ndaj saj në kohën kur ajo ishte anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, në kohën kur ajo kishte për detyrë që të shqyrtonte dhe analizonte dokumentacionin që dorëzonin operatorët ekonomikë përsa i përket procedurës së dhënies së koncesionit të inceneratorit të Fierit.