Industria bërthamore e Francës është duke mbetur prapa në përpjekjet për të vënë në punë reaktorët bërthamorë për të shmangur ndërprerjet e energjisë e për të ndihmuar Evropën të përballet me problemet energjetike këtë dimër.
Franca, dikur eksportuesi më i madh i energjisë elektrike në Evropë, e ka përkeqësuar gjendjen tashmë të keqe dhe kriza energjetike e Evropës mund të thellohet nëse ‘Electricite de France SA’ dështon me planin për të rifilluar një të katërtën e termocentraleve të saj bërthamore deri në mes të dhjetorit.
Të dhënat e fundit nuk duken premtues dhe operatori i rrjetit RTE paralajmëroi të premten se rreziku i mbingarkesës po rritet në janar.
Ndërsa shoqëria e kontrolluar nga shteti ka thirrur ekipet e saldimit nga SHBA dhe Kanada për të rregulluar çarje të papritura në një duzinë njësish, kalendari është tashmë shumë prapa planit me disa javë.
“Unë e di që ekipet e EDF-së janë jashtëzakonisht të mobilizuara.” – tha kryeministrja Elisabeth Borne në Parlament të mërkurën.
“Megjithatë, ne duhet të jemi të përgatitur për çdo situatë, duke përfshirë mundësinë e ndërprerjeve të synuara të energjisë këtë dimër.”
Problemet e kanë lënë Francën – e cila zakonisht mbështetet në energjinë bërthamore për më shumë se dy të tretat e energjisë së saj – të pambrojtur, megjithëse është më pak e varur nga furnizimet me gaz rus sesa Gjermania.
Për të kufizuar dëmin në ekonomi dhe për të shmangur trazirat sociale, qeveria e presidentit Emmanuel Macron ka caktuar të paktën 100 miliardë euro ndihmë.