Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu e ajo e Jashtme Xhaçka pohuan mbrëmjen e sotme se shqiptarët do e braktisin kreun e PD-së Berisha në protestën e thirrur nga opozita më 6 dhjetor.
Manastirliu shkruan se interesi i madh i shqiptarëve është të ecin me ritme të shpejta drejt integrimit në BE ndërsa Berisha po përpiqet ta pengojë me çdo kusht këtë gjë.
“6 Dhjetori është dita për të cilën çdo shqiptar ndihet krenar. Sali Berisha, jo. Interesat e shqiptarëve nuk përkojnë me interesat e Sali Berishës. Interesi i madh i shqiptarëve është që të vazhdojnë përpara me ritme të shpejta në rrugën e pakthyeshme të integrimit në Bashkimin Evropian. Interesi i vogël i Sali Berishës, është që të pengojë me çdo kusht dhe me çdo mjet këtë aspiratë historike të shqiptarëve.Për fatin e tij të keq, njolla e “non grata”-s, nuk mund të jetë kurrsesi halli i një populli, rruga e të cilit është ndarë një e herë e mirë, shumë kohë më parë, nga Sali Berisha. Shqipëria do ta mikpresë denjësisht për herë të parë, në 6 dhjetor, Samitin e Bashkimit Evropian???? me vendet e Ballkanit Perëndimor. 6 dhjetori do të shënojë njëkohësisht ditën kur shqiptarët do të braktisin një herë e përgjithmonë në hallin e tij Sali Berishën, duke i kthyer shpinën përpjekjeve të non grata-s për të njollosur Shqipërinë.” – tha Manastirliu.
Xhaçka nga ana e saj thotë se protesta e thirrur nga Berisha me 6 dhjetor, kur në vend do zhvillohet Samiti i BE-së me vendet e Ballkanit perëndimor është i turpshëm, pasi gjithë sytë e Evropës janë në Tiranë.
Ajo shkruan se Berisha është kapitull i mbyllur për Shqipërinë ndërsa theksonse protesta e 6 dhjetorit turpëron shqiptarët e Shqipërinë.
“Është e turpshme ajo që kërkon të bëjë Sali Berisha në 6 dhjetor duke u përpjekur të turpërojë Shqipërinë pikërisht në ditën kur sytë e gjithë Evropës janë tek Shqipëria për Samitin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor. 6 dhjetori është një moment krenarie për të gjithë shqiptarët, kudo që janë, të cilësdo bindje politike. Sepse është një arsye për t’u ndjerë krenar kur BE vendos ta vlerësojë Shqipërinë, reformat, punën, progresin, politikën e saj të jashtme, duke organizuar këtij samitin e saj ku do të marrin pjesë krerët e shtetit të mbarë vendeve anëtare e rajonit. Është pra një ditë për të nxjerrë në pah më të mirën që mund të ofrojë ky vend e ky popull. E padyshim, Sali Berisha nuk është më e mira që mund të ofrojë ky vend. Përkundrazi, Sali Berisha është një kapitull i mbyllur me turp për shqiptarët dhe për Evropën, nën peshën e skandaleve e korrupsionit, që tani turpin e tij po përpiqet ta bëjë turpin e shqiptarëve. Sepse ajo protestë nuk turpëron as Qeverinë, as Kryeministrin, as Partinë Socialiste, por shqiptarët dhe Shqipërinë. 6 dhjetori do të jetë një ditë krenarie për Shqipërinë, pavarësisht ëndrrave e planeve të Sali Berishës, sepse qytetarët shqiptarë do t’i rrinë larg këtij njeriu që ka treguar më se njëherë, që për hallin e vet është gati të turpërojë vendin.” – tha Xhaçka.