Vendosni fjalën kyçe....

Operatori republikan shpallet fajtor për futjen e parave ruse në fushatën e Trumpit


Jesse Benton, i cili është një operativ konservator prej një kohe të gjatë, u shpall fajtor të enjten për gjashtë akuza lidhur me rolin që ai besohet se ka luajtur në futjen e parave ruse në fushatën e Donald Trump të vitit 2016.

Sipas Mother Jones, ai e ka bërë këtë duke u përfshirë në një skemë, për të ndihmuar një biznesmen rus të zhvillonte një takim ekskluziv me Trump gjatë fushatës presidenciale të atij viti. Konkretisht ai e kishte ndihmuar biznesmenin rus të bënte foto me Trumpin.

Benton, i cili është i martuar me mbesën e Senatorit të Kentakit, Rand Paul, është dënuar edhe më parë në vitin 2015 për akuza të ngjashme. Ai thuhet se kishte ndihmuar në fushatën presidenciale të Ron Paul të vitit 2012, të paguante për të joshur një senator të shtetit të Iowa-s larg një fushate rivale. Benton u dënua me gjashtë muaj arrest shtëpie dhe dy vjet liri me kusht më 16 shtator 2016 për këtë – vetëm dy ditë para ngjarjes me Trump për të cilën akuzohet tani. Trump përfundimisht e fali Bentonin dhe një burrë tjetër për rolet e tyre në çështjen e Iowa-s (një i pandehur i tretë nuk u fal), dhe Benton arriti të mbante një profil të ulët publik deri vitin e kaluar.

Jesse Benton

Jesse Benton

Më pas, në shtator 2021, Benton dhe një operativ tjetër republikan, Doug Wead, u paditën në rastin aktual. Wead vdiq dhjetorin e kaluar ndërsa priste gjyqin.

Sipas prokurorëve federalë, në shtator 2016, Wead kontaktoi me një përfaqësues të biznesmenit rus Roman Vasilenko, një oficer pensionist i marinës, i cili drejtonte një kompani të madhe marketingu me shumë nivele me të cilën Wead kishte punuar më parë.

Vasilenko shprehu interes për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe për t’u fotografuar me të famshëm ose politikanë të shquar amerikanë dhe Wead ra dakord ta ndihmonte atë në këmbim të 100 mijë dollarëve. Benton organizoi që Wead ta sillte Vasilenkon në një tryezë të rrumbullakët me liderë të biznesit në Filadelfia, ku Trump do të takohej me donatorë të pasur, të cilët dhanë mbi 25 mijë dollarë donacion politik. Prokurorët thonë se Vasilenko ia dërgoi paratë Bentonit, i cili bleu biletat për të futur Wead dhe Vasilenkon në këtë takim, dhe më pas 75 mijë dollarët e mbetur i futi në xhep për vete.

Përveç blerjes së biletës, Benton kontaktoi organizatorët e ngjarjes, e cila u sponsorizua nga Komiteti Kombëtar Republikan, dhe theksoi se ishte shumë e rëndësishme që Vasilenko të fotografohej me Trump. Fotoja u shkrep dhe Vasilenko e postoi atë më vonë me mbishkrimin “Dy presidentë”. Ai u promovua shumë në rrjetet sociale pas kësaj.

Benton nuk pagoi menjëherë për biletat dhe duhej të nxitej nga Komuniteti Kombëtar Republikan (RNC) për pagesën, dhe një kontakt i RNC-së e pyeti Bentonin se për kë ishte bileta e ai tha se ishte për vete.

Sipas Washington Post, gjatë gjyqit, avokati i tij argumentoi se Benton kishte marrë këshilla ligjore se ishte krejtësisht e lejueshme për të blerë një biletë për dikë tjetër. Avokati i Bentonit, Brian Stolarz, gjithashtu hodhi poshtë rëndësinë e dhurimit prej 25 mijë dollarësh dhe u tall me idenë se Benton kishte marrë pjesë në një përpjekje të madhe për të derdhur shuma të mëdha parash nga Rusia. Por është e paligjshme të dhurosh para në emër të dikujt tjetër, dhe prokurorët i bindën gjyqtarët se Benton kishte bërë pikërisht këtë dhe se ai kishte mashtruar RNC-në dhe komitetet e tjera politike që pranuan kontributin.

Në dosjet paragjyqësore, prokurorët nxorën një tjetër skandal në të cilin ishte përfshirë Benton – një operacion i fshehtë nga gazetarët e Telegraph, të cilët u takuan me Bentonin të infiltruar si përfaqësues të një qytetari të pasur kinez që kërkonte të derdhte miliona dollarë në zgjedhjet në SHBA. Në atë takim, i cili u zhvillua vetëm disa javë pasi Benton dhe Wead organizuan takimin mes rusit Vasilenko dhe Trumpit, Benton u tha gazetarëve se ai mund t’i ndihmonte ata duke e rregulluar që të kalonin fondet përmes grupeve të errëta të parave .

Në një deklaratë, Stolarz tha se juria “e kuptoi gabim” këtë.

“Ky nuk ishte ndonjë komplot madhështor për të marrë 25 mijë dollarë nga paratë ruse në fushatën e Trump, por ishte për një tregtar me shumë nivele dhe influencues në Instagram që të bënte një foto me një personazh të famshëm për të përmirësuar imazhin e tij.”- tha ai.

Ai shtoi se Benton ruan pafajësinë e tij dhe planifikon të apelojë.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Mother Jones / Përshtati në shqip Hashtag.al