Vendosni fjalën kyçe....

Tom Ford bëhet miliarder pasi i shet markën e modës kompanisë Estée Lauder


Tom Ford ka arritur zyrtarisht statusin e miliarderit pasi gjiganti i bukurisë Estée Lauder bleu markën e modës së tij në një marrëveshje prej 2.8 miliardë dollarësh.

Siç shkruan “The Independent”, të martën Estée Lauder Companies Inc njoftoi se ka nënshkruar një marrëveshje për të blerë markën Tom Ford, e cila përfshin një perandori të gjerë të modës, bukurisë, parfumeve dhe aksesorëve me vlerë 2.8 miliardë dollarë.

Marka globale e bukurisë tha se do të blejë Tom Ford për 2.3 miliardë dollarë para në dorë dhe borxh, plus 300 milionë dollarë në pagesa me këste që do të paguhen duke filluar nga korriku 2025.

Estée Lauder do të marrë gjithashtu një pagesë prej 250 milionë dollarësh nga Marcolin, marka italiane e syzeve që mban licencën për koleksionin e syzeve të Tom Ford. Kështu sipas Forbes, Tom Ford do të marrë rreth 1.1 miliardë dollarë para të gatshme nga shitja pas taksave.

Kompania është tani pronari i vetëm i markës Tom Ford dhe gjithë pronës së saj intelektuale, sipas një njoftimi për shtyp. Kompania e bukurisë tha se në vitet e ardhshme pret që Tom Ford Beauty të sjellë shitje neto prej 1 miliard dollarësh.

Tom Ford do të vazhdojë të qëndrojë si “vizionar krijues” i markës deri në fund të vitit 2023, thuhet në deklaratë. Domenico De Sole, kryetar i Tom Ford International, do të qëndrojë gjithashtu si konsulent deri në të njëjtën kohë.