Vendosni fjalën kyçe....

Transferimi i bosit të bandës ndez trazira në burg, 9 të vrarë në Ekuador


Të paktën nëntë të burgosur u vranë të premten në një tjetër masakër në një burg të Ekuadorit, sipas Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Dhuna ndodhi në burgun ‘El Inca’ në kryeqytetin Quito pasi policia dhe zyrtarët e burgut u përpoqën të transferonin Jonathan Bermudez, kreun e bandës kriminale ‘Los Lobos’, në burgun e sigurisë së lartë ‘La Roca’ në Guayaquil.

Presidenti i Ekuadorit, Guillermo Lasso, kishte njoftuar disa orë më parë transferimin e Bermudez-it, i identifikuar nga autoritetet si përgjegjës për masakrën e 7 nëntorit në të njëjtin burg që la të vdekur pesë të burgosur.

“Ata që janë përgjegjës për masakrën në burgun El Inca në Quito janë izoluar me sukses sot.” – shkroi Lasso në Twitter.

“Sot herët në mëngjes, oficerët e rendit e transferuan kreun e bandës narko-terroriste ‘Los Lobos’ në burgun e sigurisë maksimale, ‘La Roca’. Ne u themi atyre se nuk do trembemi e se do ketë pasoja për ata që tentuan të krijojnë kaos. Ky do të jetë i njëjti fat për ata që vazhdojnë përpjekjet e tyre për të prishur paqen e ekuadorianëve.” – shtoi Lasso.

Masakrat e burgjeve në Ekuador kanë qenë të përsëritura muajt e fundit. Që nga shkurti i vitit 2021, ka pasur gati një duzinë maskrash në Ekuador, me më shumë se 400 të burgosur të vrarë, sipas qeverisë, për shkak të dhunës në rritje midis bandave kriminale të lidhura me trafikun e drogës.

Edhe pse Lasso premtoi t’i jepte fund dhunës në burgje, incidentet vazhdojnë të ndodhin.