Vendosni fjalën kyçe....

Vrasësi i dënuar i shpëton ekzekutimit në SHBA


Shteti i Alabamës u detyrua të anulonte ekzekutimin e një vrasësi të dënuar pasi ekzekutorët nuk ishin në gjendje të gjenin një venë të përshtatshme për të bërë injeksionin vdekjeprurës përpara afatit të mesnatës së të enjtes.

Është ekzekutimi i dytë që shteti i është dashur të braktisë për shkak të vështirësive me instalimin intravenoz në vetëm tre muaj.

Stafi i burgut në Institucionin Korrektues ‘William C. Holman’ në Altmore kaloi një orë duke u përpjekur të lidhte dy linjat IV të nevojshme për injeksionin vdekjeprurës me venat e vrasësit Kenneth Eugene Smith. Ndërsa në fund ia dolën të vendosnin njërën, ata nuk mundën të vendosnin tjetrën para se ora të shënonte mesnatën që çoi në skadimin e urdhrit të ekzekutimit për 57-vjeçarin.

Smith u dënua me vdekje në 1996 për vrasjen e Elizabeth Sennett në këmbim të një pagese prej 1000 dollarësh nga bashkëshorti i saj predikues, Charles Sennett, i cili ishte zhytur në borxhe dhe shpresonte të merrte paratë e siguracionit.

Në gjyqin e tij, Smith pranoi se ‘ishte rënë dakord që i bashkëpandehuri John Forrest Parker dhe ai të bënin vrasjen’ dhe se ai kishte marrë sende nga shtëpia për ta bërë vrasjen të dukej si një vjedhje.

Megjithatë, Smith pretendoi se edhe pse ai mori pjesë në sulm, ai nuk kishte ndërmend të vriste Sennett, e cila vdiq me tetë plagë me thikë në gjoks dhe dy në qafë. Parker, i cili gjithashtu mori 1000 dollarë për pjesën e tij në vrasje, u ekzekutua në vitin 2010.

Pas skadimit të urdhrit, zyrtarëve të shtetit u duhet të kthehen në gjykatë për të marrë një datë të re ekzekutimi.