Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka reaguar për situatën problematike të shkaktuar nga moti i keq.
Në një telefonatë me Prefekten e Shkodrës Znj. Majlinda Angoni, presidenti Begaj është informuar në lidhje me situatën e krijuar nga moti i keq në Qarkun Shkodër.
Veçanërisht ai shprehu shqetësim për ngjarjen e rëndë në Malësinë e Madhe, ku ujërat e rrëmbyera kanë marrë para makinën me tre persona në të dhe për fat të mirë me ndihmën e një banori të zonës ka arritur të shpëtojë vajza.
Presidenti ka shprehur mbështetjen ndaj familjes së prekur e njëkohësisht nxit e mbështet forcat Renea, ato të emergjencave civile, si dhe Forcat e Armatosura të cilat ndodhen në vendngjarje në kërkim të babait e djalit, por gjithashtu kërkoi përpjekje maksimale për të ndihmuar çdo familje në rrezik nga ky mot ekstrem.
Begaj kërkon që institucionet qendrore dhe vendore të tregojë përgjegjshmëri dhe ta trajtojnë situatën seriozisht.
Presidenti e sheh të rëndësishme që qytetarët të marrin informacionin e nevojshëm në kohë reale për të përballuar situatën.
“Po ndjek me vëmendje situatën e rënduar të krijuar nga reshjet e shiut dhe stuhitë në shumë qarqe të vendit. Është e rëndësishme që përballë kësaj situate serioze të gjitha institucionet përgjegjëse dhe pushteti lokal, të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, për të mbrojtur jetën dhe pronën e çdo individi, si dhe për të marrë të gjitha masat e nevojshme për të përballuar dhe paraprirë emergjencat e ndryshme të orëve apo ditëve në vijim. Është e rëndësishme që popullata të ketë informacionin e nevojshëm në kohë reale për të përballuar si duhet çdo vështirësi, gjithmonë duke patur mbështetjen e institucioneve shtetërore”, shkruan Begaj.