Shumë familje në Gjermani do marrin një tjetër goditje nga rritja e faturave të energjisë në janar, pasi furnizuesit e energjisë dhe gazit përballen me çmime më të larta të tregut me shumicë dhe tarifa në rritje të rrjetit, raportoi Reuters, duke cituar portalin e çmimeve Verivox.
“Niveli i çmimeve për energjinë është historikisht i lartë dhe zvogëlon fuqinë blerëse të familjeve.” – tha në një deklaratë një ekspert i energjisë Verivox, Thorsten Storck.
Portali ka mbikëqyrur 800 furnizues të energjisë elektrike dhe 700 gazit dhe zbuloi se 137 operatorë rajonalë të energjisë kanë vendosur të rrisin çmimet me një mesatare prej rreth 61%, ndërsa 167 furnizues gjermanë të gazit po planifikojnë një rritje çmimi prej rreth 54%. Kjo mund të rezultojë në një rritje të përgjithshme të çmimeve të energjisë prej më shumë se 50% në ekonominë më të madhe të Evropës.
Faturat e energjisë elektrike të familjeve gjermane në nëntor janë rritur me 5% që nga fillimi i vitit, ndërsa faturat e gazit janë rritur me më shumë se 40% mbi nivelin e janarit, tha Reuters.
Sipas vlerësimeve të Verivox, kostoja mesatare shtesë për një familje që përdor 4,000 kilovat orë (kWh) energji elektrike në vit do ishte 784 euro, ndërsa një familje tipike që përdor 20,000 kWh gaz do të kishte një rritje prej 1,247 eurosh në vit.
Një rritje kaq dramatike e çmimeve në Gjermaninë e varur nga energjia rrjedh nga rënia e furnizimeve të gazit rus dhe prodhimi më i ulët bërthamor në Francë, e cila po përpiqet të rifillojë funksionin e të gjithë reaktorëve para dimrit.