Një gjykatës federal në Nju Jork ka urdhëruar publikimin e një tufe dokumentesh që përmendin emrat e bashkëpunëtorëve të pedofilit të vdekur Jeffrey Epstein dhe Ghislaine Maxwell, e dashura e tij prej një kohe të gjatë që tani po vuan 20 vjet burg për trafikim seksual.
Dokumentet u depozituan në një çështje shpifjeje në vitin 2016 kundër Maxwell nga viktima e supozuar Virginia Roberts Giuffre. Çështja u zgjidh më vonë jashtë gjykatës, njësoj siç u zgjidh padia e Giuffre në 2021 kundër Princit Andrew të Britanisë.
Gjyqtarja Loretta Preska vendosi që dokumentet mund të publikoheshin dhe se interesi publik peshonte më shumë se të drejtat e privatësisë së këtyre individëve anonimë, raportoi Fox News.
Dy nga ata individë janë viktima të dyshuar të Epstein, të cilët tashmë kanë dalë publikisht me akuzat e tyre. Njëra, Emmy Taylor, ngriti një padi këtë verë kundër një gazetari që e përshkroi atë si një ‘bashkëkomplotist’ të Epstein dhe Maxwell. Tjetra, Sarah Ransome, botoi një libër për përvojën e saj si një ‘lodër seksi’ në ishullin famëkeq privat të Epstein.
Një nga individët e përmendur në dokumente është Tom Pritzker, një miliarder me biznese në hoteleri dhe kushëri i guvernatorit të Illinois-it, J.B Pritzker. Ndërsa Pritzker kërkoi që emri i tij të mos publikohej, gjyqtarja Preska argumentoi se ai nuk ishte akuzuar për ndonjë veprim dashakeq dhe urdhëroi që ai të publikohej, sipas Fox.
Giuffre më herët pretendoi se ajo ishte detyruar nga Epstein dhe Maxwell të bënte seks me Pritzker, një pretendim që miliarderi e mohoi. Giuffre akuzoi gjithashtu avokatin e Epstein, Alan Dershowitz, për përdhunimin e saj kur ajo ishte e mitur. Dershowitz mohoi akuzën dhe paditi Giuffre për shpifje.
Një liberal e financier i shquar, Epstein u burgos në vitin 2008. Ai u arrestua sërish në vitin 2019 dhe u akuzua për abuzim seksual me dhjetëra vajza të mitura, por u gjet i vdekur në qelinë e tij të burgut në Manhatan përpara se të mund të dilte në gjyq. Vdekja e tij u cilësua zyrtarisht si vetëvrasje.
Maxwell u dënua me 20 vjet burg në qershor për pesë akuza në lidhje me trafikimin e vajzave të mitura për seks. Ajo aktualisht ka apeluar dënimin duke kërkuar pafajësinë.