Hakerat e Homelandjustice kanë publikuar mbrëmjen e sotme të dhënat personale të drejtorit të Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku e nëndrejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror Oljan Kanushi.
Përveç të dhënave personale, materialet përmbajnë edhe udhëtimet jashtë vendit të dy zyrtarëve të lartë të shtetit.
Në shënimin e postimit të të dhënave të Rrumbullakut, hakerat shkruajnë mesazhin: “Ne jemi më afër jush sesa shpirtrat tuaj. Në vend që të zëvendësoni zyrtarët e institucioneve të korruptuara qeveritare, mendoni për reformimin e strukturës korruptive.”
Ndërsa në postimin e materialeve për Kanushin ata shkruajnë: “Çdo lëvizje dhe intervistë e drejtuesve të MEK në Shqipëri dhe vende të tjera do të ketë një çmim të rëndë për popullin shqiptar.”
Më herët hakerat kanë publikuar të dhënat personale e email-et e shefit të SHISH-it, Helidon Bendo, video të ndryshme të operacioneve sekrete të SHISH-it e Policisë së Shtetit, të dhënat e rreth 600 punonjësve të SHISH-it, numra telefoni të qytetarëve shqiptarë, të dhëna personale e tara mjetesh.
Të dhënat dyshohet se janë marrë në sulmin kibernetik të 15 korrikut 2022 pas të cilit sipas kryeministrit Rama qëndron Irani. Pas kësaj Shqipëria prishi zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe përzuri stafin e ambasadës iranane në Tiranë.