Vendosni fjalën kyçe....

Mbështetësit e Bolsonaros vijojnë të bllokojnë rrugët me kamionë, s’e njohin rezultatin e zgjedhjeve


Drejtuesit e kamionëve vijojnë të bllokojnë rrugët në Brazil pas zgjedhjeve presidenciale

Drejtuesit e kamionëve në Brazil bllokuan autostradat në fundjavë, ndërsa mbështetësit e presidentit në largim Jair Bolsonaro vijojnë demonstratat kundër fitores së Luiz Inacio Lula da Silva në balotazhin presidencial.

Autoritetet regjistruan 17 postblloqe në të gjithë vendin. Përqendrimi më i lartë i postblloqeve ishte në shtetin veriperëndimor të Rondonia, ku autoritetet regjistruan 11 të tilla.

Policia Federale e Autostradave (PRF) konfirmoi gjithashtu postblloqe në Distriktin Federal dhe shtetet e Mato Grosso, Mato Grosso do Sul e Rio de Janeiro.

Ndërmjet 30 tetorit dhe 9 nëntorit, autoritetet arrestuan 49 persona të dyshuar të përfshirë në bllokada rrugore, me numrin më të madh të arrestimeve në shtetin jugor të Santa Catarina, sipas portalit brazilian të lajmeve G1.

PRF njoftoi të premten se kishte çmontuar 1,158 demonstrata që nga fillimi i protestave.

Autoritetet kanë bllokuar gjithashtu llogaritë bankare të 43 personave dhe kompanive që dyshohet se kanë kryer ‘akte antidemokratike’ pas fitores së Lulës.

Në javët e fundit, autoritetet kanë vënë në shënjestër ata që ata pretendojnë se po kryejnë veprime jodemokratike, duke filluar nga bllokimet e paligjshme të rrugëve dhe thirrjeve të demonstruesve për ndërhyrje ushtarake.

Demonstratat filluan pasi shumë mbështetës të Bolsonaros nuk e njohin fitoren e Lulës në balotazhin e ngushtë në fund të muajit të kaluar, duke pretenduar se zgjedhjet ishin vjedhur.

Një raport nga Ministria e Mbrojtjes e Brazilit javën e kaluar nuk gjeti parregullsi zgjedhore në një dokument të hollësishëm të autoriteteve zgjedhore.

Bolsonaro humbi ndaj Lulës, i cili mori 50.9% të votave krahasuar me 49.1% të Bolsonaro, sipas Gjykatës së Lartë Zgjedhore të Brazilit. Lula do të betohet për një mandat të tretë më 1 janar 2023.