Vendosni fjalën kyçe....

Mishi i rritur në laborator merr miratimin e FDA-së në SHBA për të dalë në treg


Mishi i kultivuar në laborator ka qenë i disponueshëm në treg prej disa kohësh, megjithatë nuk ka qenë shumë i përhapur në raftet e supermarketeve.

Megjithatë kjo mund të ndryshojë, pasi Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) njoftoi këtë javë se kompania që prodhon mish të kultivuar ‘Upside Foods’ ka kaluar pengesën e parë drejt shitjes në tregjet kryesore.

Sipas njoftimit nuk pritet që mishi i rritur në laborator të shfaqet menjëherë në dyqane. Megjithatë FDA-ja ka shqyrtuar informacionin e sigurisë, të paraqitur nga ‘Upside Foods’, në lidhje me sigurinë dhe prodhimin e produkteve të mishit të kultivuar duke e lejuar që të vijojë prodhimin.

“Kur sjellim produkte të tilla në botë, ne presim që njerëzit të bëjnë shumë pyetje.” – tha Uma Valeti, shefe ekzekutive e themeluese e ‘Upside Foods’, për Fast Company në nëntor të vitit të kaluar.

“Dhe mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur pyetjeve është të filloni të flisni për këtë shumë përpara se një produkt të dalë në treg, duke e çmitizuar atë.”

Tani për tani, Singapori është i vetmi vend ku mishi i kultivuar është aktualisht i disponueshëm për t’u blerë.