Vendosni fjalën kyçe....

Musk përgatit tjetër ‘fshesë’ në Twitter, priten shkarkime të tjera – Bloomberg


Pronari i ri i Twitter-it, Elon Musk, po mendon të pushojë të tjerë punonjës nga platforma e mediave sociale, pasi tashmë ka ulur numrin e punonjësve përgjysmë në fillim të këtij muaji, raportoi Bloomberg të shtunën.

Sipas raportit, pushimet nga puna pritet të fillojnë të hënën dhe do prekin sektorët e shitjeve e programet e partneritetit të Twitter.

Javën e kaluar, Musk i ofroi stafit të Twitter një ultimatum që të bien dakord për orë më të gjata pune ‘me intensitet të lartë’, ose të largohen duke pranuar një pagë tremujore. Ai u dha punonjësve 24 orë për t’u përgjigjur dhe tha se ata që nuk do ta bënin këtë do konsideroheshin të shkarkuar. Lëvizja shkaktoi një dorëheqje masive, veçanërisht midis inxhinierëve të platformës, thanë burimet e Bloomberg.

Më vonë, Musk thuhet gjithashtu se i kërkoi Robin Wheeler, kreut të marketingut dhe shitjeve dhe Maggie Suniewick, e cila ishte në krye të partneriteteve, të pushonin më shumë nga stafi i tyre. Duke qenë se ata nuk e zbatuan urdhrin, u larguan nga puna.

Musk pushoi gjysmën e 7,500 punonjësve të Twitter-it në fillim të nëntorit, disa ditë pasi mori përsipër kompaninë në një marrëveshje blerjeje prej 44 miliardë dollarësh më 28 tetor.

Ai shpërndau gjithashtu bordin e drejtorëve të rrjetit social, duke hequr ndër të tjera drejtorin ekzekutiv Parag Agrawal, shefin e financave Ned Segal dhe shefen e departamentit ligjor Vijaya Gadde.