Vendosni fjalën kyçe....

Vendi nën ‘pushtetin’ e shiut, problem qarkullimi në disa zona, babë e bir ende të humbur në Malësi të Madhe


Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin që prej mbrëmjes së djeshme kanë shkaktuar probleme të shumta e dëme ende të pallogaritshme materiale.

Zonat më të prekura janë  Shkodra, Lezha, Dibra, Kukësi e Durrësi si dhe Vlora e Gjirokastra në jug të vendit. Reshjet kanë shkaktuar probleme në qarkullimin e mjeteve, rrëshqitje dherash e gurësh si dhe evakuimin e dhjetëra familjeve.

Problematike për sa i përket kalimit mbetet rruga Beltojë-Shkodër në vendin e quajtur Harku i Bërdicës.

Dy familje në Shkodër, në lagjen Ajasem janë evakuuar pasi ishin bllokuar në mes të ujit. Në Shkodër kanë bërë gati konviktet për të pritur familjet që mund të duhet të lënë banesat.

Në Bogë rrjedha e ujit ka marrë makinën me të cilën udhëtonin babai me dy fëmijët. Vajza është mundur të gjendjet në gjendje të mirë ndërsa babë e bir rezultojnë ende të humbur.

Më poshtë është buletini i Ministrisë së Mbrojtjes për gjendjen e deritanishme në qarqet më të prekura të vendit.

Qarku i Shkodrës: Ky qark paraqitet më problematiku pasi ka përmbytje. 400 ha në Fushën e Murriqanit nën ujë. Disa fshatra pa drita, probleme në rrugët dytësore. Nga inertet është bllokuar rruga kryesore në Zues dhe lejohet lëvizja në një korsi.

Përroi Nikgjonaj në Theth ka dalë nga shtrati ku ka prezencë uji në 3 banesa. Tejmbushje të kanaleve kulluese. 4 familje janë evakuuar .

Në Theth bie bora e parë. Rrjedha e ujit ka marrë babain me 2 fëmijët në Bogë të Malësisë së Madhe. Pjetër Rushaj me dy fëmijët po udhëtonin me mjet pranë Përroit të Thatë. Nga ndërhyrjet e policisë, është gjetur vajza që ndodhet jashtë rrezikut për jetën ndërsa polumbarët janë në kërkim të babait dhe djalit.

Qarku i Lezhës: Asnjë banesë e përmbytur. Për shkak të erës së fortë është pezulluar lundrimi në Shëngjin. Nga parashikimet pritet që situata të përkeqësohet në vijim më konkretisht në Lezhë, Kurbin e Mirditë.

Qarku i Durrësit: Edhe ky qark është përfshirë nga reshje të dendura shiu, por situata është e menaxhueshme. Ka prani uji në disa akse të qytetit të Durrësit kryesisht në zonë  pas stadiumit, që është një problematikë e përhershme si dhe shëtitore, por nuk ka penguar qarkullimin rrugor. Anijet e vogla dhe peshkarexhat deri në datë 22 nëntor nuk lejohet të dalin në det.

Qarku i Vlorës: Në këtë qark ka pasur një erë të dendur, ku disa pemë janë rrëzuar duke bllokuar qarkullimin. Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që të lirojë rrugën, e ndërsa edhe në Vlorë, anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla nuk janë lejuar që të dalin në det. Trageti i linjës Brindisi-Vlorë është nisur me 6 orë me vonesë. Nga ana tjetër, në Dukat dhe Orikum ka pasur dritave dhe po punohet për rikthimin e energjisë elektrike. Ndërkohë që në qafën e Llogorasë ka prezence mjegulle, por dhe erë të fortë gjë që sjell probleme për drejtuesit e automjeteve.

Qarku i Gjirokastrës: Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur shkëputje të energjisë elektrike. Disa fshatra kanë mbetur për disa orë pa drita. Liqeni i Viroit gati të dalë nga shtrati për shkak të prurjeve në 24 orët e fundit. Dalja e tij nga shtrati do të izolonte qarkullimin në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë.

Qarku i Kukësit: Disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike. Në lumin e Tropojës janë dëmtuar 2 këmbë të 2 urave Bejli që ishin në proces ndërtimi. Në Fierzë, një shtëpi është goditur nga rrufeja, fatmirësisht pa dëme në njerëz.