Kryetari i PD-së Sali Berisha ka vizituar sot zonat e përmbytura në Shkodër. Ndalesën e parë ai e ka bërë në fshatin Kuç.
Gjatë fjalës së tij Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama duke thënë se kjo situatë vjen si pasojë e papërgjegjshmërisë. Ai tha se mbrëmjen e djeshme janë hapur tunelet e Komanit, ndërsa qeveria ishte në dijeni se do të kishte reshje të dendura të shiut.
“E kam ndjekur me shumë shqetësim dhe vëmendje zhvillimet dramatike. Erdha këtu për të shprehur solidaritetin për ju dhe të gjithë banorët dhe për kryetarin e Bashkisë për punën që po bëni.
Kjo është dëshmi e plotë e papërgjegjshmërisë së këtyre qytetarëve, që mbrëmë kanë hapur tunelet e Komanit, kanë derdhur nga porta e Vaut të Dejës, 2 mijë metër kub në sekondë, përveçse sa kanë derdhur nga turbinat, të gjitha këto se nuk dilnin dot nga skema e vjedhjeve të tyre.
Këto reshje kanë qenë tërësisht dhe plotësisht të parashikuara, qoftë nga Instituti i Gjeoshkencave, që ua ka dorëzuar në zyra këtyre qeveritarëve, që vjedhja ua ka verbuar sytë dhe mendjen, por për hir të së vërtetës, një njoftim jashtëzakonisht serioz ka bërë stacioni meteorologjik italian, që në mënyrë specifike ka parashikuar reshje ekstreme dhe përmbytjet në alpet e veriut.
Por të gjitha këto nuk kanë mjaftuar për Edi Ramën dhe Belinda Balukun se ata e kanë mendjen të shfrytëzojnë energjinë për të vjedhur. Tani del e thotë që e bëra për të shtuar rezervat, ndërkohë që të gjithë të dhënat tregonin se do të kishte reshje ekstreme, por i kishte sytë te paratë që do vidhnin, që i kishin prokuruar për të blerë 10 milionë euro energji elektrike, nga të cilat së paku 5 milionë i fusin në xhep. Tani që ka plasur skandali, përpiqen që të mashtrojnë dhe të justifikojnë. E vërteta është se nuk donin të ndalonin vjedhjen.”- tha Berisha.
Sipas ish-kryeministrit, përmbytje mund të ndalej.
“Mbrëmë jam njoftuar vonë shumë, se këta e hapën tunelin, se e kanë në program pune importin dhe nuk e ndërpresin. Gjithçka diktohet nga vjedhja.
Ne e kemi deklaruar shumë herë që energjia është shndërruar në një nga mallrat e vjedhjeve më të mëdha. Kjo ishte absolutisht e parashikueshme, e ndalueshme, nëse do prodhohej energji dhe do ulej niveli. Energjia nuk kishte nevojë të blihej.
Sot po shesin energji, me një çmim katër herë më të ulët se e blejnë, se e kanë kontratat. Janë verbuar. Qeveria ka qëndrim armiqësor të hapur ndaj Shkodrës. Por këtë akt e kanë bërë se janë kapur në flagrancë në një vjedhje të paimagjinueshme.”– tha ai.