Kryetari i PD-së Sali Berisha ka vizituar sot familjen Rushaj, e cila humbi dy pjesëtarë të saj një ditë më parë si pasojë e motit të keq. Bëhet fjalë për 48-vjeçarin Pjetër Rushajn dhe birin e tij të mitur.
“Edhe herë tjetër ai ka krijuar probleme, është përrua i keq shumë. Çdo respekt dhe Pjetri meriton çdo nderim e çdo mirënjohje nga të gjithë. U këput shumë para kohe jeta e tij dhe shumë shumë parakohe jeta e djalit. Një dhimbje shumë e thellë, por edhe emrin, edhe kujtimin i ka lënë. Njeriu jeton me to. Fizikisht vdes por lë mbrapa dhe kujtohet vazhdimisht nga ata që e kanë njohur, nga ata që e kanë dashur dhe kanë punuar me të. Dhe Pjetri ky është, e kanë dashur shumë, e kanë vlerësuar, e ka merituar të gjithë dashurinë dhe respektin që kanë patur për të. Dhe për familjen tuaj dhe ndaj i lutem Zotit që shpirti i tij dhe i djalit engjëllit të tij të gjejë paqen e amshuar dhe ju forcën për ta përballuar këtë dhimbje të madhe. Shumë e madhe. Nuk përshkruhet me fjalë, por..”- tha Berisha.
Më herët Berisha vizitoi edhe në fshatin Kuç të Shkodrës, ku raportohen dëme të mëdha nga reshjet.