Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili ka bërë sot një denoncim në media ndaj qeverisë për abuzime me energjinë elektrike.
Lidhur me përmbytjet në veri në vendit, Vasili thotë se është përgjegjësi e keqqeverisjes dhe keqmenaxhimit. Duke treguar disa dokumente, Vasili thotë se në një kohë kur basenet janë plot, qeveria vazhdon të blejë energji elektrike edhe për periudhën nga 26 nëntori deri në 4 dhjetor.
“Pra, ishte shumë e qartë që do të kishte një situatë të ngarkuar të reshjeve që do të prekte të gjithë Gadishullin e Ballkanit. Duke njohur një situatë të tillë, të gjithë vendet që prodhojnë energji me burime hidrike, shtuan prodhimin për t’u ulur nivelin e baseneve dhe për t’u bërë gati për të pritur prurjet e shtuara të lumenjve.
Në momentin e fillimit të reshjeve pikërisht në datën 19, qeveria e Edi Ramës fillon të shesë energji dhe nxjerr për shitje 21 mijë megavat për periudhën 19-22 nëntor. Është e qartë që interesi i vendeve të tjera për të blerë energji ishte i ulët sepse energji prodhohej përmes reshjeve të shtuara.
Ndaj u shit vetëm 16 mijë megavat, ndërsa 5 mijë megavat të tjera me çmim 202 euro për megavat u hodhën në det. Duke humbur në këtë mënyrë mbi 10 milionë euro. Dhe njëherazi duke përmbytur banorët e Shkodrës ndërkohë që gjithë kjo ishte plotësisht e eliminueshme. Po paradoksi nuk mbaron këtu. Për periudhën nga 26 nëntori deri në 4 dhjetor KESH bën ofertë për të blerë plot 42 mijë megavat ndërkohë që edhe shqiptari më i fundit, e di që basenet e hidrocentraleve janë të mbushura për shkak të reshjeve.”- tha Vasili.
Deputeti i PL-së i bën thirrje drejtësisë që të vërë përa përgjegjësisë personat e përfshirë në këtë aferë të radhës, siç e quan ai.
DEKLARATA E PLOTË E VASILIT
Të nderuar qytetarë, situata me të cilën po përballet vendi përsa i takon energjisë elektrike ka vetëm një emër menaxhim kriminal nga ana e qeverisë së Edi Ramës me qëllimin e vetëm, korrupsionin dhe grabitjen e miliona eurove.
Do t’u referohemi vetëm fakteve dhe dokumenteve të qeverisë për të treguar këtë korrupsion i cili mbrohet, mbështetet nga Edi Rama dhe drejtuesit e tij, të të gjitha niveleve.
Pyetja e parë:
- A mund të parashikohej situata e reshjeve? Përgjigja është po. Vetë KESH ka shpenzuar mbi dy milionë euro për shërbimin e parashikimit të motit në nivelet më të përparuara si në të gjithë vendet europiane përmes informacioneve shumë të sigurta të ofruara nga Shërbimi Satelitor.
Pra, ishte shumë e qartë që do të kishte një situatë të ngarkuar të reshjeve që do të prekte të gjithë Gadishullin e Ballkanit.
Duke njohur një situatë të tillë, të gjithë vendet që prodhojnë energji me burime hidrike, shtuan prodhimin për t’u ulur nivelin e baseneve dhe për t’u bërë gati për të pritur prurjet e shtuara të lumenjve.
Ndërsa qeveria e Edi Ramës, bën pikërisht të kundërtën në vend të prodhonte energji dhe të ulte nivelin e baseneve nga 14-20 nëntor bleu 42 mijë megavat energji.
Në momentin e fillimit të reshjeve pikërisht në datën 19, qeveria e Edi Ramës fillon të shesë energji dhe nxjerr për shitje 21 mijë megavat për periudhën 19-22 nëntor. Është e qartë që interesi i vendeve të tjera për të blerë energji ishte i ulët sepse energji prodhohej përmes reshjeve të shtuara.
Ndaj u shit vetëm 16 mijë megavat, ndërsa 5 mijë megavat të tjera me çmim 202 euro për megavat u hodhën në det. Duke humbur në këtë mënyrë mbi 10 milionë euro. Dhe njëherazi duke përmbytur banorët e Shkodrës ndërkohë që gjithë kjo ishte plotësisht e eliminueshme. Po paradoksi nuk mbaron këtu. Për periudhën nga 26 nëntori deri në 4 dhjetor KESH bën ofertë për të blerë plot 42 mijë megavat ndërkohë që edhe shqiptari më i fundit, e di që basenet e hidrocentraleve janë të mbushura për shkak të reshjeve.
Pra, në vend që shqiptarët të furnizohen me energji nga hidrocentralët e tyre, energji e cila kushton 10 herë më pak sesa ajo që blen qeveria, ata janë të detyruar të përballen me korrupsionin dhe keqmenaxhimin kriminal të qeverisë e cila i vjedh, i përmbyt dhe i varfëron.
Ndaj çdo sekond, që Edi Rama qëndron në pushtet do të thotë një ditë shkatërrimi më shumë për vendin. Ndërkohë që qindra milionë euro vidhen dhe grabiten me energjinë elektrike qeveria nuk ka para për pedagogët dhe studentët. Ndaj përballja sy më sy dhe pa u zbrapsur me këtë qeveri është e vetmja mënyrë për të shpëtuar vendin dhe familjet shqiptare të cilat zhyten në mjerim e detyrohen të largohen nga vendi vetëm për shkak të qeverisjes. Institucionet e drejtësisë duhet të jenë të gjithë në këmbë për të çuar prapa hekurave qeveritarët dhe administratorët më të korruptuar që ka parë historia e Shqipërisë të cilët po shkretojnë ekonominë e vendit dhe ekonominë e familjeve shqiptare me vjedhjen e pamëshirshme të tyre.