Vendosni fjalën kyçe....

I mori rrjedha e ujit, këta janë babë e bir që humbën jetën mbrëmë në Bogë (FOTO)


Babë e bir humbën jetën mbrëmë në Shkodër si pasojë e motit të keq që ka përfshirë vendin. Pjetër Rrushaj, 48 vjeç dhe i biri 13-vjeç u gjetën të pajetë mëngjesin e kësaj të hëne pas 16 orësh kërkime.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme ku Rrushaj bashkë me fëmijët e tij po udhëtonin me makinë në kohën kur vendi u përfshi nga rrebeshe shiu.

Ata humbën kontaktet në vendin e quajtur “Grykë Lugje”. Vajza ka mundur të dalë nga makina dhe më pas është ndihmuar nga një banor i zonës. Por babai dhe djali 13-vjeç nuk dolën dot.

Djali i mitur i quajtur Jason mësohet se kishte pasion futbollin dhe ka qenë pjesë e ekipit të Akademisë së Futbollit” Djelmnia Shkodrane.”

Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin e zonës në Bogë.

Për kërkimin e babait dhe djalit ditën e djeshme u angazhuan polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe.

Kërkimet nisën që ditën e djeshme e u ndërprenë vonë në mbrëmje për të rinisur në mëngjes. Trupat e pajetë u gjetën në vendin e quajtur ‘Grykë Lugje’ në Shkrel.

“Në vijim të informacion të dhënë mesditën e djeshme se në vendin e quajtur “Grykë Lugje”, në njësinë administrative Shkrel, Malësi e Madhe, rrjedha e ujit të përroit kishte marrë përpara një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, banorë të zonës. (babai, djali dhe vajza), ju bëjmë me dije se: Pas 16 orë kërkimesh intensive, gjatë pasdites së djeshme, gjatë natës dhe gjatë mëngjesit të sotëm, nga polumbarët e RENEA-s, grupi i evakuim-shpëtimit, grupi alpin i FNSH Shkodër, emergjencat civile dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në gjatësinë e përroit, në Bogë, u bë e mundur gjetja e dy trupave (babë e bir).”- njoftoi sot Policia.