Banorët gjermanë duhet të përgatiten për ndërprerje afatshkurtra të energjisë këtë dimër, ka paralajmëruar kreu i Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile dhe Ndihmën ndaj Fatkeqësive (BBK) Ralph Tiesler në një intervistë me gazetën Welt am Sonntag.
“Duhet të supozojmë se do ketë ndërprerje këtë dimër. Me këtë nënkuptoj një ndërprerje rajonale dhe të përkohshme të furnizimit me energji elektrike. Shkak nuk do të jenë vetëm mungesat e energjisë, por edhe mbyllja e përkohshme, e synuar e rrjeteve nga operatorët, me qëllim mbrojtjen e rrjeteve dhe mos rrezikimin e furnizimit të përgjithshëm.” – deklaroi Tiesler. Ai vuri në dukje se rreziku i ndërprerjeve do të jetë më i lartë në janar dhe shkurt.
Sipas zyrtarit, autoritetet lokale në shumë komuna gjermane janë të përgatitura për mundësinë e ndërprerjeve të energjisë elektrike, pasi kanë hartuar plane të sakta dhe kanë blerë gjeneratorë emergjencash për të siguruar furnizimin me energji elektrike. Megjithatë, disa komuna janë në pozitë shumë më të keqe, shtoi ai.
Tiesler këshilloi banorët dhe zyrtarët që të përgatiteshin për ngjarje të tilla, kryesisht duke grumbulluar furnizime.
“Kryesisht ujë, disa arka dhe ushqime të konservuara. Kjo do të mjaftonte për dhjetë ditë. Kjo është ajo që agjencia ime rekomandon. esazhi ynë është, përgatituni për kriza të mundshme, mos supozoni se gjithçka do të jetë e disponueshme gjatë gjithë kohës.” – tha ai, duke shtuar se përveç ushqimit dhe ujit për disa ditë, banorët duhet të blejnë radio dhe qirinj me bateri.