Vendosni fjalën kyçe....

Rama i përgjigjet opozitës: Llum e shpifje, importi i energjisë u bë sipas procedurave, duhej ruajtur rezerva hidrike


Kryeministri Rama u është përgjigjur akuzave të opozitës, e cila i bëri thirrje SPAK-ut që të hetojë importet e energjisë nga KESH-i ditët e fundit teksa vendi është goditur nga shira të dendur që kanë çuar në shkarkimin e ujit nga hidrocentralet në kaskadën e Drinit.

Kreu i qeverisë shkruan se dezinformimet më të shumta që vijnë nga opozuta kanë të bëjnë me importin e energjisë.

Sipas tij, importi është vendosur sipas procedurave të datës 11 nëntor pasi shirat pritej të nisnin në datën 20 nëntor e në rast se nuk do importohej energji, rezerva hidrike do ishte në minimalen historike.

“NË KRYE TË DETYRËS (mes prurjeve të shiut të dhe të llumit)

Teksa të gjitha strukturat, nga forcat e emergjencave civile, trupat ushtarake, policia e shtetit, punonjësit e sistemit energjetik, drejtues e ministra respektivë ndodhen në terren, në krye të detyrës ditë-natë, vijon paralelisht edhe përmbytja e kanaleve të komunikimit mediatike me shpifje, akuza e spekullime të llojllojshme. Prurja më e madhe e dizinformimit vjen lidhur me importin e energjisë. E vërteta është se KESH ka vendosur të importojë energji elektrike sipas procedurës së datës 11 Nëntor, sepse nga të gjitha parashikimet e motit, situata e reshjeve pritej të intensifikohej vetëm në mesditën e datës 20 Nëntor dhe nëse nuk do të ishte importuar, rezerva energjetike do të ishte në minimalen historike, duke rrezikuar vetë furnizimin normal me energji.” – shkruan Rama.

Ai sqaron më tej se sasia e reshjeve ka qenë jashtëzakonisht e lartë dy ditë e fundit duke bërë që prurjet në hidrocentrale të jenë të mëdh, gjë që ka detyruar KESH-in të hapë portat e shkarkimit për të garantuar sigurinë e digave.

Rama shkruan se masat e marra nga KESH kanë siguruar që në efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje. Po kështu kryeministri thekson se të gjitha prurjet po grumbullohen në basenin e Liqenit të Fierzës që ka më shumë kapacitete grumbulluese e ku nuk po prodhohet energji duke përmirësuar rezervën energjetike të vendit.

“Sasia e reshjeve rezultoi në nivele ekstreme me vlera rekord në basenet e Komanit e të Vaut të Dejës – 150% e parashikimit sipas modeleve ndërkombëtare të analizës së motit! Vetëm në Theth në 12 orë kanë rënë mbi 400 mm shi me intensitet pik deri në 50 mm/orë. Kjo sasi reshjesh u përkthye në prurje që arritën deri në 4000 m3/sek në lumin Drin, ku vetëm në liqenet e Komanit e Vaut të Dejës prurjet anësore shkuan deri 3500 m3/sek. Në këto kushte, qysh në datën 19 Nëntor u morën masat sipas protokolleve përkatëse, duke hapur portat e shkarkimit për të krijuar mundësi akumuluese në të dy këta liqene dhe duke garantuar sigurinë e digave. Aktualisht punojnë të 9 agregatët e Komanit dhe Vaut të Dejës dhe sërish shkarkohet për shkak të prurjeve të papërballueshme. Por, duke shkarkuar në mënyrë të kontrolluar, KESH ka siguruar që efekti i reshjeve në zonën e nën Shkodrës të mos ketë mbivendosje! Përkundrazi, e ka zhvendosur me disa orë efektin e Drinit në të gjithë kombinimin e prurjeve në këtë zonë (ku shkarkon Buna, Kiri, Gjadri, Moraça etj). Kjo zhvendosje me disa orë e efektit të lumit Drin ka bërë të mundur uljen e pikut të prurjeve maksimale në këtë zonë, duke e ulur nivelin maksimal të ujit. Për të mos e përkeqësuar situatën, të gjitha prurjet në basenin e sipërm të kaskadës, të cilat vijnë nga Drini i Zi dhe i Bardhë, po akumulohen prej ditësh në Liqenin e Fierzës (me aftësi mjaft të mëdha akumuluese) duke mbajtur prodhimin 0 MË. Në këtë mënyrë përmirësohet edhe rezerva energjetike dhe mbetet keqardhja e madhe për prurjet e llumit të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha mbi pasqyrat e (diz)informimit publik.” – mbyll reagimin Rama.