Vendosni fjalën kyçe....

Bashkëshortja e Ramës hap kanal në “Youtube”: Me çfarë po merrem (VIDEO)


Bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka hapur kanalin e saj në “Youtube”. Pas një kohe të gjatë larg postimeve në rrjete sociale, Linda Rama duket se s’ka mundur dot më t’i rezistojë botës virtuale, duke vendosur t’i bashkohet më në fund përmes një kanali në “Youtube”, që sipas saj do të bëjë një ndërthurje të jetës së saj profesionale dhe asaj publike.

Ajo ka ftuar qytetarët të cilët janë të interesuar të dinë mbi aktivitetin e saj profesional dhe angazhimet e saj si qytetare që ta ndjekin në këtë kanal që mban emrin e saj.

“Me çfarë merrem unë si profesioniste e kush jam si qytetare e angazhuar? Këdo që e ka këtë kërshëri e ftoj të klikojë në http://linda.al.”shkruan ajo.

Në video-mesazhin e parë Linda Rama ka treguar pse erdhi ky vendim.

“Nuk kam aktivitet në rrjetet sociale. Jam shfaqur në ekran rrallë, kur arsyeja më është dukur vërtet e fortë. Shumë njerëz më pyesin me çfarë merrem. Profesionistët më së shumti janë kështu, larg protagonizmit dhe vëmendjes publike. Por kqyrës të ndjeshëm të sferës së interesave të përbashkëta, kontribuues të dobishëm për shoqërinë. Ata e ushqejnë dhe e konsumojnë pa bujë pasionin për profesionin.

Kështu ka qenë gjithmonë. Por, në kohët e sotme të botës së zhurmshme dixhitale realiteti i profesionistëve i përket inekzistencës, ndërkohë që protagonistët e sferës virtuale ngjajnë i vetmi realitet.

Linda.al nuk është një akt pendese për mosqenien në rrjetet sociale por hapja e një porte të botës dixhitale mbi jetën time profesionale dhe qytetare. Një dritare për këdo që ka kërshërinë për të kuptuar me çfarë merrem unë si profesioniste dhe kush jam unë si qytetare e angazhuar.

Nga sot Linda.al është një portë e hapur për të pritur vizitorët e saj, studiuesit, ekonomistët, studentët dhe jo vetëm. Është një portë për çdo kureshtar që mund të ketë interes se çfarë trajtohet në rreth 50 publikime të botuara ndër vite si autore, bahkëautore, kontribuuese apo për opinionet dhe mendimet e dhëna në daljet e mia jo të shpeshta publike.”- tha zonja Linda.

Kryeministri Rama në llogarinë e tij në “Twitter” ka ripostuar postimin e bashkëshortes së tij.

 Në këtë video të parë, Linda Rama ka treguar një histori nga fëmijëria dhe momentin kur ka pësuar “tronditjen e parë” në jetë.

“Unë kam lindur në dhjetor. Në shtatorin kur isha 5 vjeçe e 8 muaj ëndërroja të filloja klasën e parë sëbashku me shokët e mi.

E prisja këtë moment me një gëzim dhe kuriozitet të patreguar. Prindërit shkuan të më regjistronin por kur u kthyen më thanë që nuk mund të nisja klasën e parë atë vit pasi isha më e vogël se sa mosha e lejuar. Duhej të isha 6 vjeç. Fillova të qaja me vonesë dhe e kujtoj atë 1 shtator si një ditë të një mërzie të madhe. Deri në atë moment i kisha parë prindërit e mi si ata që për mua bënin gjithçka. Këtu ishte pikënisja kur unë fillova të kuptoj që çka prindërit dëshironin të bënin për mua jo gjithnjë varej prej tyre dhe rregulli ishte më i fuqishëm se ata.

Në shkollë vajta një vit më vonë. Pak muaj pasi kishim nisur teksa u shfaqën urimet për ditëlindje pikasa që kishte shokë që kishin mundur të regjistroheshin pa mbushur 6 vjeç, duke shënuar edhe tronditjen time të parë. Rregullat nuk ishin për të gjithë njësoj dhe prindërit nuk mund të zgjidhnin gjithçka për mua. Ky ishte rrugëtimi që më mësoi që liria është mundësi për të marrë mbi vete përgjegjësi dhe si e tillë duhet përdorur me mençuri.”– tha ajo.