Ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot, u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të pranojnë propozimin për kompromis në çështjen e targave ilegale serbe, të formuluar nga Bashkimi Evropian.
Përmes një postimi në Twitter, ambasadori francez ka thënë se thirrja vlen veçanërisht për Kosovën.
“Franca mbështet plotësisht ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, që duhet të mundësojë përparimin drejt marrëveshjes ligjërisht obliguese mes Kosovës dhe Serbisë dhe që të dyja shtetet të lëvizin drejt perspektivës evropiane”.
Deklarata e tij vjen një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave, në një takim urgjent të thirrur nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Disa orë më vonë, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, Kurti e ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e dytë parasheh shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me automjete me targa të tilla.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se e ka kërkuar këtë shtyrje për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.
Të martën, Kurti ka thënë se ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, është shumë i përkushtuar për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e targave ilegale serbe.