Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, përsërit thirrjen e tij për rikthimin e referendumit në vend.
Në një postim në rrjetet sociale, Meta shpreh vendosmërinë e PL-së në këtë drejtim dhe thotë se bashkë me PD-në dhe grupet e interesit do ta bëjnë të mundur këtë.
Sipas tij, në një shtet të kapur dhe me institucione të paralizuara siç e konsideron ai Shqipërinë, e vetmja rrugë që të vendoset llogaridhënia është referendumi.
“22 Nëntori i vitit 1998, dita kur përmes Referendumit populli shqiptar votoi për Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë meriton një nderim të veçantë.
Kjo është një nga ngjarjet më pozitive për demokracinë në vend, mirëpo prej 24 vitesh popullit shqiptar i është mohuar e drejta për t’u shprehur me anë të Referendumit.
Në bashkëpunim me Partinë Demokratike, me të gjithë forcat e tjera opozitare, me shoqërinë civile dhe grupet e interesit ne do të bëjmë të mundur që popullit shqiptar t’i rikthehet kjo e drejtë, të cilën ja garanton vetë Kushtetuta, që populli e votoi 24 vjet më parë.
Në një shtet të kapur dhe me institucione të paralizuara, e vetmja rrugë për rivendosjen e llogaridhënies është Referendumi.”– shkruan ish-presidenti Meta.