Vendosni fjalën kyçe....

Meta takim me banorët e ‘5 Majit’ në Tiranë: Askush s’do guxojë t’u hedhë gaz në shtëpi e t’i lërë mes katër rrugëve


Kreu i Partisë së Lirisë Meta është takuar mëngjesin e sotëm me banorët e zonës së ‘5 Majit’ në Tiranë duke shprehur mbështetjen për ta.

Ai shkruan se askush nuk do guxojë më që t’u hedhë gaz në shtëpi e t’i nxjerrë dhunshëm duke i lënë në mes të katër rrugëve.

Meta thekson se transparenca e llogaridhënia do udhëheqin vendimet e PL-së në shërbim të komunitetit.

“Askush nuk do të guxojë t’u hedhë gaz në shtëpitë e tyre për t’i nxjerrë dhunshëm në mes të katër rrugëve. Ligji, humanizmi, transparenca dhe Llogaridhënia do të na udhëheqin në çdo vendimmarrje në shërbim të komunitetit. Fuqizimi i Partisë të Lirisë, garanci për t’u dëgjuar zëri i qytetarëve dhe zgjidhur shqetësimet e tyre!” – shkruan Meta.

Në zonën e ‘5 Majit’ janë prishuar muaj më parë dhjetëra shtëpi për t’i hapur rrugën rindërtimit të pallateve që sipas bashkisë do strehojnë banorët të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Megjithatë një pjesë e banorëve e kundërshtojnë projektin duke thënë se është grabitje e pastër e pronës së tyre dhe se nuk kanë asnjë garanci për premtimet e bashkisë duke i bërë thirrje kësaj të fundit që të nënshkruajë marrëveshje me shkrim me ta.