Ka ndërruar jetë në moshën 67-vjeçare ish-ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni.
Siç shkruan Rai, ai kishte kohë që po luftonte me një sëmundje të rëndë. Maroni thuhet se ka ndërruar jetë gjatë natës në shtëpinë e tij në zonën e Vareses ku ka kaluar muajt e fundit të jetës.
“Sonte në orën 4 na la Bobo i dashur. Ata që e pyesnin si ishte, edhe në momentet e fundit ai u përgjigjej gjithmonë ‘mirë’. Pra ti ishe Bobo, një optimist i pashërueshëm. Ti ishe një bashkëshort, baba dhe mik i madh.”– këto janë fjalët e zgjedhura nga familja për të njoftuar vdekjen e tij.
“Ai që dashurohet nuk njeh vdekje, sepse dashuria është pavdekësi, ose më saktë, është substancë hyjnore (Emily Dickinson). Mirupafshim Bobo!”– përfundon mesazhi.
Lidhur me vdekjen e Maronit, ka reaguar kryeministrja e re e Italisë Giorgia Meloni.
“Një mik, një politikan inteligjent dhe i aftë që i ka shërbyer institucioneve me sens të shëndoshë dhe konkrete. Qeveria i shpreh ngushëllimet familjes dhe të dashurve të tij në këtë moment të vështirë.”– shkroi ajo.
Kreu i Lega-s, Matteo Salvini, gjithashtu ka reaguar përmes një postimi.
“Sekretar i madh, superministër, guvernator i shkëlqyer”– e quajti ai në rrjetet sociale.
View this post on Instagram
I martuar, me dy fëmijë, i diplomuar në drejtësi, jurist, Roberto Maroni kishte qenë shef i departamentit juridik të zyrës italiane të një kompanie shumëkombëshe amerikane.
Ai kishte gjithashtu pasion muzikën dhe luante saksofon në një grup, si dhe ishte një tifoz i flaktë i Milanit.
Maroni është ndër 80 mbështetësit e Legës që përfaqësoi Lidhjen për herë të parë në parlament në 1992, më pas u bë Ministër i Brendshëm dhe Zëvendës Kryeministër në 1994, Ministër i Punës në 2001 dhe përsëri Ministër i Brendshëm në 2008 përsëri me Silvio Berlusconin, për të mbyllur përfundimisht karrierën e tij në institucione si president i Rajonit të Lombardisë nga viti 2013 deri në vitin 2018.
Ai kishte shpallur kandidaturën e tij për t’u bërë kryebashkiak i Vareses, por sëmundja e detyroi të hiqte dorë një vit më parë.