Vendosni fjalën kyçe....

Përmbytjet në veri/ Meta: Qindra milionë euro dëme, qeveria të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore dhe të dëmshpërblejë qytetarët


Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar qeverinë se ka vepruar me vonesë lidhur me situatën e përmbytjeve.

Ai kërkoi shpalljen e fatkeqësisë natyrore dhe të dëmshpërblehen të gjithë banorët e prekur. Gjatë fjalës së tij, Meta u shpreh se Shkodra u përmbyt pasi hidrovoret nuk ishin në punë pasi mungonte energjia elektrike.

“Përmbytja ishte ngjarje e paralajmëruar. Tashmë 1685 ha në bashkinë e Shkodrës të përmbytura, qindra e mijëra shtëpi të rrethuara nga uji, shumë familje të bllokuara, ndërkohë që bashkia e Shkodrës dhe autoritetet vendore nuk u lajmëruan sipas ligjit. Në Shkodër Hidrovoret s’kanë qenë në punë për mungesë të energjisë. Në Lezhë 1300 ha të përmbytura. Kjo situatë kritike është dhe në fushë-Krujë, 150 Ha në Mullqinë dhe Mallkuç. Natyrisht nuk mund të ngelej jashtë përmbytjeve dhe Durrësi, me zonën e ish-Kënetës dhe qendra e betonizuar e këtij qyteti, te Veliera. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe kur fondi vjetor i Bordit të Kullimit për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën është 80 mln euro në vit. Është aq sa vjedh vetëm për një ditë inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston.

Dëmet në qindra milionë euro si për banesat e qytetarëve, pajisjet e orenditë, dëmtimi masiv i të mbjellave të ushqimit të bagëtëive e blegtorisë. Kjo situatë tregon që qeveria ka qenë inekzistente e veprimet kanë qenë minimale e të vonuara dhe pasi situata kishte dalë nga kontrolli.

KESH, më e rënda është që e bleu energjinë më shtrenjtë në momentin kur dihej që do kishte reshje e shet shumë më lirë në bursë në këto momente. Dështoi sistemi satelitor për të cilin u paguan 1.5 milionë euro për të parashikuar me saktësi motin. E qartë se kjo situatë rrezikon të përkeqësohet me masa të improvizuara.

E domosdoshme që shpalljan e gjendjes së fatkeqësisë natyrore duhet të bëhet menjëherë se jo vetëm kemi të bëjmë me fatkeqësi natyore por me fatkeqësi nga menaxhimi i kaskadave, që qeveria duhet të dëmshpërbleje qytetarët dhe banorët për dëmet. Drejtësia të veprojë ndaj drejtuesve të sistemit energjitik për gjithë aktet e tyre të rënda korruptive që kanë cuar në situatë të pakontrolluar të menaxhimit të kaskadës e për mos lajmërimin e autoriteteve vendore e qytetarëve për t’u mbrojtur nga përmbytja.”– tha Meta.