Vendosni fjalën kyçe....

Rama në Shkodër, i përgjigjet Berishës: Skandal më vete të thuash që përmbytjen e shkaktoi hapja e kaskadës


Kryeministri Edi Rama ka vizituar sot Shkodrën në përpjekje për të parë nga afër situatën me përmbytjet.

Gjatë fjalës së tij, ai iu përgjigj edhe akuzave nga ish-kryeministri Sali Berisha se përmbytja u krijua nga hapja e kaskadës së Drinit.

Rama tha se kjo deklaratë e Berishës është një skandal më vete dhe se njerëzit mund ta bëjnë vetë diferencën.

Ai inkurajoi forcat në terren të çojnë deri në fund misionin e tyre.

“Ky është një sistem që vihet në lëvizje sipas niveleve të planit. Nisen e dinë shumë mirë edhe me çfarë do përballen dhe kanë bërë sakrificë gjithmonë pa asnjë rezervë. Ajo që duhet thënë është se prapë janë hektarë të përmbytur. Nëse në të gjithë zonat e tjera kemi ndryshim të sistemeve të kullimeve këtu nga strukturat vendore kemi pasur gjithmonë problem.

Nuk dua të fajësoj njeri por të thuash që kjo erdhi si rezultat i kaskadës ky është skandal më vete. Njerëzit mund ta bëjnë vetë diferencën. Natyrisht të vazhdojmë punën dhe të tregojmë maksimumin e solidaritetit. Shifrat që përmendi Elisa janë fakte.”– deklaroi Rama.

Rama bën një krahasim me përmbytjen e vitit 2010 dhe thotë se nga 12 mijë banorë të evakuar atëherë, sot vetëm 22, nga 2800 banesa të përmbytura sot asnjë shtëpi e mbuluar nga uji, nga 14 mijë hektarë të përmbytur sot vetëm 1 mijë e 300 hektarë – të gjitha këto, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë Bashkia Shkodër.