Vendosni fjalën kyçe....

U arrestua për vjedhje në Itali, efektivi i Shëngjinit përjashtohet nga Policia e Shtetit


Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me arrestimin e efektivit të saj në Itali për veprën penale të “Vjedhjes”.

Efektivi K.N 27-vjeç me detyre oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën policore në Shëngjin është përjashtuar nga Policia e Shtetit me firmë të Muhamet Rrumbullakut.

Policia sqaron se efektivi kishte marrë leje pa të drejtë page konform procedurës si dhe kishte dalë jashtë shtetit me leje të eprorit të tij për arsye shëndetësore.

Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve dhe të paligjshmërive në përgjithësi, ka marrë njoftim se shtetasi K. N., 27 vjeç, me detyrë oficer i Patrullës së Përgjithshme në Postën e Policisë Shëngjin, në Komisariatin e Policisë Lezhë, ishte arrestuar nga organet ligjzbatuese italiane, për veprën penale “Vjedhja”.

Menjëherë pas njoftimit të marrë nga homologët italianë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka firmosur përjashtimin nga Policia e Shtetit, të punonjësit të Policisë K. N.

Punonjësi i Policisë K. N., konform procedurave ligjore, ka marrë leje pa të drejtë page, nga data 01.11.2022 deri më datë 31.12.2022. Kjo leje i është miratuar nga eprori i tij, për dalje jashtë shtetit, pas kërkesës së bërë nga vetë punonjësi, për arsye shëndetësore.

Sqarojmë opinionin publik se rekrutimet në Kolegjin e Policisë, të Akademisë së Sigurisë, për Patrullë të Përgjithshme, bëhen në zbatim të ligjit “Për Policinë e Shtetit” dhe në zbatim të kritereve të përcaktuara me VKM. Aplikantët kalojnë disa faza testimi dhe verifikimi, të cilat përjashtojnë kategorikisht mundësinë e hyrjes në Akademi, të aplikantëve me të kaluar kriminale.

Përsa i përket shtetasit K. N., të arrestuar nga autoritetet policore italiane, tashmë ish-punonjës i Policisë, sqarojmë se pranimi i tij në Akademinë e Sigurisë, është bërë konform procedurave ligjore dhe se 27-vjeçari është djali i një dëshmori të Policisë.

Gjithashtu, sqarojmë opinionin publik se në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në drejtoritë vendore të Policisë, janë ngritur dhe funksionojnë këshillat e emërtesës, për emërimin e drejtuesve të strukturave të Policisë, bazuar në rezultatet e punës, profesionalizmin, integritetin dhe pastërtinë e figurës.

Shprehim keqardhje për deklaratat dashakeqe që synojnë të përbaltin punën, mundin dhe sakrificën e mijëra djemve dhe vajzave, burrave dhe grave, të Policisë së Shtetit, që punojnë 24/7 për të garantuar rendin e sigurinë, dhe që përballen e luftojnë çdo ditë, me krimin në përgjithësi dhe me krimin e organizuar në veçanti”-njofton policia.