Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në një intervistë për A2 CNN deklaroi se javën e ardhshme do të bëhen publikë emrat e kandidatëve për zgjedhjet lokale të 2023-shit.
“Partia Demokratike nuk mund t’ia lejojë vetes të mos futet në zgjedhje. Unë përgjigjem vetëm për këtë pjesë. PD-ja do të marrë pjesë në zgjedhje në të 61 bashkitë, me këshillin bashkiak dhe me kandidatët. PD-ja do të dalë me një kandidat. Nëse i referoheni 6 marsit, PD-ja ka pasur një kandidat, ndërsa kandidati tjetër ka qenë i Shtëpisë së Lirisë, që ishte koalicioni mes LSI-së dhe Partisë Demokristiane. Në vitin 2020, PD u përfshi në një proces të gjerë të identifikimit të kandidaturave. Kandidatët janë gati dhe do të nisë shpallja e tyre bashki më bashki që nga java tjetër. Këta kandidatë janë zgjedhur nga anëtarësia e Partisë Demokratike, që është përfshirë në një proces në detaj të propozimeve dhe në një proces votimi, ku ka pasur dy komisione që bënë filtrimin dhe që shikonin çështjen e etikës.”, tha ai.
Alibeaj sqaroi edhe çështjen gjyqësore që ka lajmëruar Apeli për shqyrtim në 6 dhjetor duke qartësuar se kjo është një çështje që nuk ka lidhje me fatin e PD, por për një çështje krejt tjetër.
“Nuk është kjo çështje ajo e cila vendos për logon apo vulën, pra nuk ka asnjë lidhje me ankimin që unë kam bërë në lidhje me vendimin e gjykatës së shkallës së parë të Agron Zhukrit. Kjo çështje ende nuk ka dalë si datë në Gjykatën e Apelit, kam bërë kërkesë që të shqyrtohet. Çështja në fjalë është një çështje teknike që ska lidhje me ankimin që kam bërë”, pohoi demokrati.
Duke u ndalur te marrëdhënia me aleatët, Alibeaj sqaroi se: “Për të qenë fitues kandidati i PD-së, aleanca që duhet bërë është me njerëzit dhe me vlerat. Ne nuk detyrojmë askënd dhe as nuk lusim njeri që t’i qëndrojë vlerave tona. Unë kam pasur kontakte me të gjithë kryetarët e partive aleate dhe nga këto diskutime me zotin Mediu, me zotin Duka dhe me PDIU, kërkesa e tyre është: na duhet një kandidat fitues dhe për të nxjerrë këtë është sondazhi. Duke qenë se këta kolegë aleatë është i arsyeshëm, edhe ne kemi adoptuar të njëjtin qëndrim.”.
Po ashtu Alibeaj bëri deklarata dhe për Bashën dhe Berishën.
“Zoti Basha është anëtar i grupit parlamentar të PD-së dhe unë kam komunikim me të gjithë anëtarët. Basha ka dhënë dorëheqjen, me një arsye politike fisnike besoj unë. Ai tha se po largohet për të hequr problemin në parti. Për të njëjtën arsye duhet të largohej edhe zoti Berisha, por nuk është larguar. Nuk ka ndodhur asgjë që të mund të ndryshonte qëndrimin tonë apo të zotit Basha. Nëse i kthehemi memories, shkaku i pretenduar nga Berisha në atë kohë ishte dualizmi. Basha u dorëhoq që të dorëhiqej edhe zoti Berisha.”, shtoi ai.