Partia Demokratike ka përgatitur 23 amendamente për buxhetin e vitit të ardhshëm që do të diskutohet nesër në seancën parlamentare. Kështu njoftoi sot Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar.
“Kemi në mbledhje pune shumë të rëndësishme për shkak të rendit të ditës tepër të veçantë. Janë buxheti i shtetit për të cilin deputetët e PD-së kanë përgatitur 23 amendamente, kanë thirrur në interpelancë Edi Ramën. Amendamentet e paraqitura përbëjnë një përmbysje reale të planifikimit dhe shpërndarjes së buxhetit, nga një buxhet për tu vjedhur në një buxhet në shërbim të qytetarëve, nevojave të tyre, rrogave dhe pensioneve të tyre më të ulëtat në rajon dhe që me këtë buxhet bëhen edhe më të ulëta. Në buxhet, në amendamentet e përgatitura janë përparësuar pas rrogave dhe pensioneve ku kërkohet një rritje 25% e rrogave dhe pensionet rritje shumë e ndjeshme, janë përparësuar buxheti për arsimin i cili përsëri është diskriminuar. Është përparësuar buxheti për shëndetësinë. Janë përparësuar lëvizje dhe masa fiskale në favor të qytetarëve për të ulur përballimin e çmimeve të tmerrshme që janë sot.
Ka disa amendamente që i mbështesim plotësisht që janë ulja e TVSH-së në 6% për energjinë elektrike dhe ushqimet; barazimi i TVSH në produktet bujqësore, heqja e akcizës së gazit, rimbursimi i të gjitha dëmeve të Covid për bizneset. Ka një amendament për krijimin e fondit rezervë të KESH në mënyrë që dëmshpërblimi i të përmbyturve të mos jetë më çështje mundësie, por çështje detyrimi real ligjor, ku KESH do të detyrohet të mbajë një fond rezervë për të përballuar përmbytjet që krijon me digat.”- tha Berisha.