Vendosni fjalën kyçe....

I kapen 13 emigrantë në furgon, pranga 44-vjeçarit në Korçë, arrestohen edhe dy të tjerë


Tre persona janë arrestuar në Korçë pasi janë kapur duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm.

Në pranga kanë rënë 44-vjeçari A.B., 22-vjeçari R.H. e 28-vjeçari O.B., banues në Durrës.

44-vjeçari është ndaluar në rrugën Pogradec-Korçë pasi i janë kapur në furgon 13 emigrantë të paligjshëm të cilëve u ishtë premtuar kalimi në vendet e BE-së përmes pagesës.

Ndërsa dy të rinjtë janë ndaluar pasi akuzohen si bashkëpunëtorë. Ata ecnin para me makinë dhe sinjalizonin furgonin nga pas për praninë e policisë në rrugë.

Njoftimi

“Korçë/Finalizohet operacioni policor “Midnight”, 3 shtetas në pranga.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në DVP Korçë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

U kap duke transportuar me furgon, 13 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga.

Vihen në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët e tij, që kontrollonin rrugën me një automjet tjetër, për prezencën e Policisë.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, nën drejtimin e Prokurorisë së rrethit Korçë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Midnight”. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A.B., 44 vjeç; R. H., 22 vjeç dhe O. B., 28 vjeç, banues në Durrës.

Shërbimet e Policisë, falë organizimit të veprimeve, në bazë edhe të inteligjencës informative, gjatë operacionit, bënë të mundur kapjen e shtetasit A. B., në aksin rrugor Korçë-Pogradec, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz”, 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera, rezulton se të implikuar në këtë veprimtari kriminale janë edhe dy shtetasit e tjerë, R. H. dhe O. B., të cilët me një automjet tip “Benz”, me drejtues 22-vjeçarin dhe pasagjer 28-vjeçarin, monitoronin rrugën, për të sinjalizuar 44-vjeçarin, në rast se kishte prezencë të shërbimeve të Policisë në rrugë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime te metejshme.”