Vendosni fjalën kyçe....

Një grup pro-rus dyshohet se kreu sulmin kibernetik ndaj Parlamentit Evropian


Një grup pro-Kremlinit ka marrë përgjegjësinë për një sulm kibernetik në faqen e Parlamentit Evropian, pasi ligjvënësit e këtij institucioni e kanë shpallur Rusinë si shtet që sponsoron terrorizëm, ka thënë udhëheqësja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

“Parlamenti Evropian është nën një sulm kibernetik të sofistikuar. Një grup pro-Kremlinit e ka marrë përgjegjësinë”, ka thënë Metsola përmes një postimi në Twitter.

“Ekspertët tanë të teknologjisë informative janë duke punuar dhe duke mbrojtur sistemet tona. Kjo ndodhi pasi ne shpallëm që Rusia është shtet që sponsoron terrorizëm. Përgjigja ime është: Lavdi Ukrainës”, ka thënë ajo.

Më herët gjatë ditës së mërkurë, ligjvënësit kanë marrë këtë vendim për Rusinë, duke thënë se sulmet ushtarake të Moskës ndaj shënjestrave civile dhe në infrastrukturë të energjisë, spitale dhe shkolla, përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar.

Ky vendim konsiderohet simbolik, pasi Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë kornizë ligjore për të vepruar më tej.