Vendosni fjalën kyçe....

Sindikata e Transportit në Britani paralajmëron greva masive për Krishtlindje


Sindikata e Punëtorëve të Hekurudhave, Detareve dhe Transportit në Mbretërinë e Bashkuar (RMT) njoftuan të martën një seri grevash 48-orëshe hekurudhore në prag të Krishtlindjeve, teksa në vend vijon pasi një mosmarrëveshje e gjatë mbi kushtet e punës e pagat.

Greva do përfshijë 40,000 anëtarë që punojnë për Network Rail dhe 14 kompani të tjera hekurudhore.

Punëtorët do bëjnë grevë në datat 13-14 dhe 16-17 dhjetor, si dhe 3-4 dhe 6-7 janar.

Në një njoftim për shtyp, RMT tha se pezulloi grevat e mëparshme për të lejuar bisedimet, por ‘Network Rail’ nuk arriti të bënte një ofertë të përmirësuar.

“Në të njëjtën kohë Rail Delivery Group, që përfaqëson kompanitë operuese të trenave, ka thyer gjithashtu një premtim për të bërë një ofertë kuptimplotë për pagat dhe kushtet dhe madje ka anuluar negociatat që do të zhvilloheshin dje.” – thuhet në deklaratë.

Sekretari i Përgjithshëm i RMT, Mick Lynch tha: “Raund i fundit i grevave do tregojë se sa të rëndësishëm janë anëtarët tanë për drejtimin e këtij vendi dhe do dërgojë një mesazh të qartë se ne duam një marrëveshje të mirë për sigurinë e punës, pagat dhe kushtet për njerëzit tanë”.

“Ndërkohë, mesazhi ynë për publikun është se na vjen keq që ju bezdisim, por ju nxisim të drejtoni zemërimin dhe zhgënjimin tuaj te qeveria dhe punëdhënësit e hekurudhave gjatë kësaj faze të fundit të veprimit.” – shtoi Lynch.

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë sindikalistëve në Britani të marrin një qëndrim dhe të luftojnë për paga dhe kushte më të mira në industritë e tyre përkatëse. Dhe ne do kërkojmë të bashkërendojmë veprimet e grevës e demonstratat ku të mundemi.

Britania po përjeton aktualisht një valë grevash, të shkaktuara nga një krizë e hidhur e kostos së jetesës, e shkaktuar nga rritja e inflacionit dhe një ekonomi në përkeqësim.