Suedia ka arrestuar dy persona të dyshuar për spiunazh, njoftoi të martën Agjencia e Sigurisë, SAPO. Të dyshuarit u kapën në zonën e Stokholmit gjatë një bastisjeje para agimit, thuhet në një deklaratë, ku u dhanë disa hollësi të operacionit.
Sipas deklaratës, operacioni që përfshinte kontrolle shtëpish, ishte kryer së bashku me policinë dhe Forcat e Armatosura Suedeze. Raportet e mediave lokale, citojnë dëshmitarë okularë, sipas të cilëve dy helikopterë Black Haëk u vendosën në zonë për të ndihmuar.
Njëri nga personat e arrestuar akuzohet për ‘veprimtari të paligjshme të fshehta të inteligjencës kundër Suedisë për llogari të një fuqie të huaj’, ndërsa i dyti dyshohet se ka ‘ndihmuar e nxitur’ aktivitete të tilla. Autoritetet nuk zbuluan kombësinë e të dyshuarve dhe as nuk përcaktuan se për llogari të cilës ‘fuqi të huaj’ ata dyshohet se kishin spiunuar.
Mediat lokale, megjithatë, sugjeruan se Moska mund të ketë qenë e përfshirë në këtë aferë, duke raportuar se të dyshuarit ishin një çift rreth të 60-tave, të cilët ishin shpërngulur në vend nga Rusia në fund të viteve 1990.
Autoritetet theksuan se arrestimet ishin kryer pas një hetimi që ‘vijon prej disa kohësh’ dhe nuk ishte i lidhur me asnjë rast tjetër të mëhershëm në Suedi.
Në fillim të këtij muaji, dy vëllezër me origjinë iraniane u akuzuan në Suedi për ‘spiunazh’, pasi dyshohet se kishin spiunuar për llogari të Rusis.
Vëllezërit, njëri prej të cilëve thuhet se punonte për Agjencinë e Sigurisë SAPO, dyshohet se kishin spiunuar për Moskën prej shumë vitesh, para se të arrestoheshin në shtator e nëntor.