Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 ka tronditur provincën veriperëndimore Duzce të Turqisë, duke plagosur disa njerëz, përfshirë një që thuhet se është në gjendje të rëndë dhe duke ndërprerë energjinë elektrike në gjithë rajonin.
Tërmeti goditi herët në mëngjes të mërkurën dhe kishte qendër qytetin Golkaya, por u ndje rreth 200 kilometra në lindje në Stamboll, sipas Agjencisë së Menaxhimit të Fatkeqësive. Ajo tha se tërmeti i parë u pasua nga të paktën 35 pasgoditje më të vogla, duke shkaktuar panik pasi shumë njerëz dolën me nxitim nga ndërtesat. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme të mëdha.
Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu tha për mediat se 22 persona po mjekoheshin në spitale, disa prej të cilëve u tha se kishin kërcyer nga ballkonet ose dritaret, nga frika se ndërtesat e tyre mund të shembeshin. Ai shtoi se të paktën një person ishte në ‘gjendje të rëndë’.
Një tërmet masiv në provincën Duzce vrau rreth 800 njerëz në vitin 1999, i cili u parapri nga një tjetër lëkundje në provincën e afërt të Kocaelit po atë vit, i cili la 17.000 të vdekur.
Zyrtarët lokalë thanë se shumica e ndërtesave të shkatërruara ose të dëmtuara në tërmetet e vitit 1999 ishin fortifikuar kur u rindërtuan, duke sugjeruar se kjo mund të ketë ndihmuar në zvogëlimin e dëmeve në lëkundjet e së mërkurës.