Vendosni fjalën kyçe....

Mashtrime me bursa fiktive, arrestohen administratori dhe 5 punonjësit e një “Call Center”-i në Tiranë


Gjashtë persona kanë rënë në prangat e Policisë së Tiranës, për mashtrime përmes Call Centerave.

Njëri prej tyre është pronar i subjektit, ndërsa 5 të tjerët janë punonjës. Ata janë arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Fraud” dhe dyshohen se mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive.

Policia thotë se gjatë kontrolleve janë gjetur 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar.

Njoftimi i Policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Fraud”, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.

Mashtronin shtetas të huaj, nëpërmjet telefonit, për të investuar në bursa fiktive, vihen në pranga admininstratori i subjektit call center dhe 5 punonjës (operatorë).

Shpallet në kërkim administratori tjetër i subjektit. Procedohet penalisht 1 punonjëse (operatore).

Sekuestrohen 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Fraud”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. N., 25 vjeç, banues në Tiranë, administratori subjektit call center;

– K. Gj., 25 vjeç, Sh. F., 26 vjeç, A. Sh., 20 vjeç, K. K., 20 vjeç dhe H. S., 26 vjeç, të pestë banues në Tiranë, të punësuar si operatorë në këtë subjekt.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim administratori tjetër i këtij subjekti, shtetasi P. A., 29 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja D. K., 26 vjeçe.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi E. N. dhe shtetasi P. A. administronin një subjekt privat call center, në rrugën “Faik Konica”. Në këtë subjekt ishin të punësuar si operatorë shtetasit  K. Gj., Sh. F., A. Sh., K. K., H. S. dhe D. K., të cilët, së bashku me 2 administratorët, telefononin shtetas të huaj, u prezantoheshin si agjentë shitjesh dhe përmes mashtrimit, i bindnin ata që të investonin në bursën fiktive Forex.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6 njësi kompjuterike, USB, aparate celulare dhe lista me të dhëna të ndryshme të shtetasve të huaj që dyshohet se janë mashtruar, për të investuar në bursa fiktive.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e shtetasit P. A.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.