Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sot nga Kuvendi opozitës lidhur me kërkesën për shpalljen e gjendjes së emergjencës në zonat e përmbytura.
Në Interpelancën e sotme, Rama tha se kriteret për shpalljen e gjendjes emergjente nuk kanë asnjë lidhje me situatën e aktuale.
“Meqë do ta marr fjalën dhe njëherë tjetër, përgjigjen se ku është çeta e kusarëve do t’ua jap shumë të plotë sot.
Ndërkohë që për sa i përket çështjeve të ngritura prej jush në parantezën e bërë lexova që shqetësimi juaj kryesor dhe pyetja juaj kryesore ishte pse nuk shpallet gjendja e emergjencës. Gjendja e emergjencës ka një kuadër të plotë ligjor, kritere të përcaktuara që nuk kanë asnjë lidhje me situatën e aktuale. Nuk dëshiroja të hyja në krahasime, por meqë hytë ju në krahasime, i qëndroj asaj që ndatë bujarisht me publikun sepse janë faktet që flasin shumë qartë dhe ai sinkron është nxjerrë nga një moment katastrofik për Shkodrën dhe për gjithë zonën e perëndimit si rezultat i keqadministrimit skandaloz, kriminal, korruptiv të kaskadës, ajo ishte e vërtetë dje, është e vërtetë sot.”– tha Rama.
Kryeministri shtoi: ”Po i referohem shifrave të bashkisë Shkodër, jo të qeverisë, e cila dihet botërisht që nuk influencohet nga qeveria jonë. Në atë kohë kur unë kam thënë atë janë përmbytur mbi 25 mijë ha, vetëm në zonën e Shkodrës, nga të cilat 14 mijë kanë futur brenda edhe qytetin e Shkodrës në atë kohë.
Ndërkohë që prapë referuar bashkisë Shkodrës, sipërfaqja e përmbytur ka qenë 1458 ha. Këtë herë nuk ka lidhje me kaskadën dhe 4 mijeshen që sollët ju është e sakta, por nuk është vetëm për Shkodrës, por edhe për Lezhën. Ka një problem me zonën e ish-kënetës, sepse është ndërtuar nën kuotë. Pyetja juaj që nëse qeveria ka menduar ti zhvendosë, kjo vlen për shumë vende, jo vetëm në Shkodër, kjo bëhet duke bashkëpunuar se bashku.
Për të ardhur tek banorët e prekur. Mbi 68 mijë banorë të prekur nga shifrat e bashkisë Shkodër, ndërsa sot 130 qytetarë të evakuuar, nga 14 mijë në atë kohë.”