Vendosni fjalën kyçe....

Xhaferaj tregon videon e Ramës në opozitë: Akuzat më të mira i keni ngritur ju vetë


Opozita ka kërkuar interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama lidhur me situatën e përmbytjeve.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ferdinand Xhaferaj i ka drejtuar disa pyetje kryeministrit si dhe ka nxjerrë një video në Kuvend me deklaratat e Ramës kur ishte në opozitë për përmbytjet dhe ku ai akuzonte qeverinë e PD-së.

“Sigurisht, ne nuk ju akuzojmë ju për reshjet e shiut, por është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe qeverisë tuaj, që të merrni masat e nevojshme paraprake për të minimizuar efektet e përmbytjeve, dhe masat urgjente që kërkon situata aktuale.”– tha Xhaferaj.

Ndërsa tregonte videon, Xhaferraj tha se “akuzat më të mira i keni ngritur ju vetë në këto vite, me këtë video që tregon se si Rama i ri i flet sot Ramës lidhur me përmbytjet”.

FJALA E XHAFERAJT

Reshjet e ditëve të fundit, nga data 20 Nëntor e në vijim, kanë prodhuar një situatë kritike në disa fshatra dhe qytete të vendit tonë, vecanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës. Vërshimi i ujit si rezultat i reshjeve, por edhe hapjes së portave të hidrocentraleve ka përmbytur shtëpitë, pallatet, bizneset, tokat, të mbjellat, duke rrezikuar kështu seriozisht jetën, shëndetin dhe pronat e bashkëqytetarëve tanë. Rasti më i rëndë sigurisht është humbja tragjike e jetës së dy qytetarëve, babë dhe bir, në përroin Grykë-Lugje të Malësisë së Madhe.

Si prind dhe si familjar, gjej rastin t’u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të dashurve të familjes Rushaj për humbjen e tyre tragjike.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes, zonat e përmbytura përfshijnë Bërdicën, Kucin, Obotin, Trushin dhe Bahcallëkun në qarkun e Shkodrës; Kurbinin, Bregut e Matit, Blinishtin, Dajcin dhe Torovicën në qarkun e Lezhës, dhe zonën e plazhit, të kënetës dhe portin në qarkun e Durrësit. Kështu, vetëm në qarkun e Shkodrës rezultojnë të përmbytura rreth 4646 hektarë tokë, me 52 familje dhe 318 banorë të evakuar, ndërsa në qarkun e Lezhë rezultojnë 1300 hektarë të përmbytura me 24 familje të evakuuara.

Situata mbetet problematike po ashtu në bashkitë Malësi e Madhe, Vau Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Kukës dhe Dibër, ku jo vetëm sipërfaqe të mëdha toke janë mbuluar nga uji, por edhe akse kombëtare, rrugë rurale dhe urbane janë dëmtuar për shkak të kushteve klimaterike, përfshirë edhe monumente kulture sic ishte rasti i Urës së Bahcallëkut, e lënë në harresë nga pushteti qëndror, megjithë kërkesat e vazhdueshme të Bashkisë Shkodër për mbështetje dhe ndërhyrje.

Prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni deklaroi se përmbytjet kanë ardhur krahas reshjeve, edhe si rezultat i hapjes së portave dhe shkarkimeve të hidrocentraleve Koman dhe Vau Dejës.

Nisur nga kjo situatë vërtet kritike, vecanërisht në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, me përgjegjësi të lartë politike dhe qytetare, vendosi të ndërmerrte dy veprime konkrete, gjithnjë në favor të interesit publik dhe kurrësesi me qëllim përfitim nga një fatkeqësi në kurriz të qytetarëve tanë. Së bashku me kolegët e grupit, ne kërkuam zhvillimin e kësaj interpelance urgjente me kryeministrin, për të dhënë informacione dhe shpjegime lidhur me situatën e përmbytjeve në vend dhe masat e ndërmarra nga ana e institucioneve shtetërore.

Po ashtu, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në mbështetje të nenit 174 të Kushtetutës dhe nenit 39 të ligjit nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, ka kërkuar shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës, në mënyrë që institucionet shtetërore, strukturat e mbrojtjes civile të kenë mundësi për të përdorur të gjithë mekanizmat e nevojshëm për përballimin me sukses të kësaj situate, duke reduktuar sa më shumë të jetë e mundur dëmet në jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë.

E di që pas meje, kryeministri do të vijë këtu, dhe siç i është bërë zakon, do të lëshojë një batërdi sharjesh dhe fyerjesh ndaj deputetëve të opozitës, si njerëz pa fe e pa atdhe, por ajo që ka rëndësi për ne ta dinë qytetarët është se kjo opozitë, ky grup parlamentar qëndron në mbrojtje të interesit të tyre, e në këtë rast të jetës, shëndetit dhe pronave të tyre.

Por, kryeministri duhet të vijë këtu dhe t’u japë përgjigje disa pyetjeve për qytetarët shqiptarë:
1. A kishte informacione dhe të dhëna qeveria shqiptare nga Departamenti i Meterologjisë, pranë Institutit të Gjeoshkencave, dhe Shërbimi Meterologjik Ushtarak, lidhur me reshjet e pritshme të datës 20 Nëntor e në vijim?
2. Nëse po, cilat ishin masat e marra nga qeveria shqiptare për të siguruar jetën, shëndetin dhe pronat e qytetarëve tanë?

  1. A u bënë shkak për përmbytjen e zonave të nën-Shkodrës hapja e portave dhe shkarkimet e hidrocentraleve të Komanit dhe Vau Dejësit, sic deklaroi prefektja e qarkut Shkodër, Znj. Angoni?
    4. Pse nuk u lajmëruan familjet që prekeshin nga përmbytjet si rezultat i shkarkimeve të hidrocentraleve që të merreshin masat e nevojshme, përfshirë evakuimin e banorëve dhe gjësë së gjallë?
    5. A ka qeveria shqiptare sot një inventar të plotë të shtëpive, tokave, arave me të mbjella, bagëtive, pallateve, akseve rrugore të përmbytura apo të dëmtuara nga vërshimi i ujit dhe përmbytjet?
    6. A ka bërë qeveria shqiptare një vlerësim paraprak të dëmeve materiale të shkaktuara qytetarëve?
    7. Ministri i Mbrojtjes, Peleshi ka përsëritur disa herë që qeveria iu ka akorduar bashkive një fond prej 10 mln dollarë për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por ndërkohë nuk thuhet nëse ky është një fond për të gjitha bashkitë apo për secilën bashki më vete. Megjithatë, nga vlerësimi paraprak i kryer nga ana juaj, a është ky fond i mjaftueshëm për përballimin e dëmeve të shkaktuara?
    8, Nga të dhënat që dispononi, a pritet që situata e motit, e për rrjedhojë edhe niveli i reshjeve të përkeqësohet në ditët në vijim? Nëse po, cilat janë masat e marra nga ana juaj apo që do të merren në ditët në vijim?
    9. Cilat janë projektet apo investimet konkrete që qeveria shqiptare ka kryer në këto 9 vite për parandalimin e përmbytjeve në qarqet Shkodër, Lezhë dhe Durrës?
    10. A ka vlerësuar qeveria shqiptare mundësinë e transferimit të banorëve, të cilët jetojnë në zona të rrezikuara nga përmbytjet, në zona më të sigurta? Nëse po, cilat kanë gjetjet e këtij vlerësimi dhe cilat janë masat e marra?
    11. A do të shpallë qeveria gjendjen e fatkeqësisë natyrore sipas kërkesës së bërë nga deputetët e PD-së, që do t’i mundësojë institucioneve mjetet dhe masat adekuate për t’iu përgjigjur situatës?

Këto janë pyetje që meritojnë përgjigje nga ana juaj Z. Kryeministër, si drejtuesi i qeverisë shqiptare, dhe besojmë se përgjigjet e tyre nuk i presim vetëm ne deputetët e opozitës, por secili qytetar që sot gjendet në një zonë të përmbytur, teksa shikon që kush e di për të satin vit rradhazi, shtëpia, tokat dhe pasuritë e tij janë shkatërruar nga vërshimi i ujit.

Sigurisht, ne nuk ju akuzojmë ju për reshjet e shiut, por është përgjegjësia juaj e drejtpërdrejtë dhe qeverisë tuaj, që të merrni masat e nevojshme paraprake për të minimizuar efektet e përmbytjeve, dhe masat urgjente që kërkon situata aktuale.