Nga Aurel Plasari
Portale dhe individë vijojnë të ripërtypin gjithë siguri “njësimin” e alfabetit të gjuhës shqipe në Kongresin e Manastirit, një “alfabet të vetëm” të Kongresit të Manastirit etj. Faktet historike flasin ndryshe.
Komisioni prej 11 anëtarësh, që përbëhej nga përfaqësues të tri alfabeteve kryesore në përdorim në atë kohë, – Gj. Fishta (kryetar), L. Gurakuqi, S. Peci, Mid’hat Frashëri, Sh. Kolonja, Dh. Buda, N. Mjeda, Gj. Qiriazi, B. Topulli, Nyzhet Vrioni, Grigor Cilka, – vendosën krijimin e një “alfabeti të ri” me bazë atë latin.
Mirëpo, në fund, për shkak të këmbënguljes së “stambollitëve”, u vendos që të lejohej përdorimi i dy alfabeteve, i “të riut” dhe i alfabetit të Stambollit, të modifikuar, që mbahej me përhapje të gjerë sidomos në jugun e Shqipërisë dhe gëzonte mbështetje të fortë.
Pra nga Kongresi i Manastirit shqiptarët dolën me dy alfabete, jo me një dhe pra jo me “njësim” të alfabetit. Sigurisht edhe kjo ishte meritë, sepse hiqte nga qarkullimi një numër jo te vogël alfabetesh të tjera me të cilat ishte shkruar deri në atë kohë shqipja.
Komisioni shprehte besimin që koha – nënkuptohej zhvillim i shkrimit të shqipes – do të zgjidhte më të mirin dhe më praktikun ndër të dy.
As Kongresi i Dytë i Manastirit, që u mbajt nga 2 deri 3 prill 1910, nuk e zgjidhi i dot çështjen e dy alfabeteve, por propozoi mbledhjen e një kongresi tjetër për njësimin e alfabetit.
Parashikimi i Komisionit të Alfabetit të Kongresit të 1908-s rezultoi realist dhe largpamës: rivalitetin mes dy alfabeteve e zgjidhi koha duke e hequr njërin syresh mënjanë.
Marrë nga Facebook-u i Aurel Plasarit