Zyrtarët e lartë të BE-së janë të zemëruar me administratën e presidentit amerikan Joe Biden, duke argumentuar se Uashingtoni po përfiton nga konflikti në Ukrainë dhe problemet ekonomike të bllokut, raportoi Politico, duke cituar burime.
Një zyrtar i lartë i cili u intervistua nga gazeta tha se SHBA-ja po përfiton më shumë nga konflikti sepse ‘po shet më shumë gaz dhe me çmime më të larta dhe përveç kësaj po shet më shumë armë’.
Përçarja transatlantike në rritje bazohet në disa faktorë. Sanksionet perëndimore të vendosura ndaj Moskës për fushatën e saj ushtarake në Ukrainë kanë shkaktuar ndërprerje të mëdha në dërgesat e gazit nga Rusia në Evropë dhe BE-ja tani mbështetet në gazin amerikan, i cili vjen me një çmim katër herë më të lartë se sa kushton në SHBA.
Presidenti francez Emmanuel Macron e përshkroi këtë praktikë si ‘jo miqësore’. Megjithatë, një burim i Politico tregoi se kur u përball me liderët e BE-së në samitin e G20 mbi problemin, Biden ‘bëri sikur nuk e dinte’.
Një çështje tjetër e mprehtë është Akti i Zvogëlimit të Inflacionit në SHBA, një skemë nxitëse që ofron subvencione të mëdha dhe lehtësime taksash për bizneset e gjelbra. Brukseli është i shqetësuar se mund të jetë potencialisht shkatërrues për ekonominë e bllokut, pasi mund t’u japë prodhuesve amerikanë të automjeteve elektrike një avantazh ndaj homologëve të tyre të BE-së në tregun fitimprurës amerikan.
“Ne jemi me të vërtetë në një çast historik.” – tha një zyrtar i BE-së për Politico, duke argumentuar se këto mosmarrëveshje mund të minojnë përpjekjet perëndimore për të mbështetur Ukrainën dhe vetë aleancën transatlantike.
“Amerika duhet të kuptojë se opinioni publik po ndryshon në shumë vende të BE-së.” – shtoi ai.
Raportohet se evropianët po irritohen gjithashtu për paratë që rrjedhin në industrinë e mbrojtjes së SHBA-së për shkak të fushatës për të mbështetur Ukrainën me armë. Sipas një zyrtari të lartë, BE-së mund t’i duhen vite për të rimbushur furnizimin e saj me armë, gjë që ka nxitur frikën se SHBA do të përfitojë edhe më shumë nga konflikti.