Vendosni fjalën kyçe....

Greta Thunberg e 600 të rinj të tjerë paditin Suedinë: S’po i lufton ndryshimet klimatike


Një grup prej më shumë se 600 të rinjsh suedezë, përfshirë aktivisten mjedisore Greta Thunberg, ka paditur qeverinë e vendit për përpjekjet e saj të pamjaftueshme në trajtimin e krizës klimatike.

Të premten, një demonstratë e thirrur nga organizata rinore ‘Aurora’ marshoi nëpër kryeqytetin suedez për të paraqitur një padi në Gjykatën e Qarkut të Stokholmit. Grupi dëshiron që gjyqësori të vendosë se Suedia ka shkelur të drejtat e njeriut të qytetarëve të saj duke ndjekur politika të papërshtatshme klimatike.

“Ne jemi 636 të rinj në ‘Aurora’ që po padisim shtetin suedez për veprime të pamjaftueshme klimatike.” – shkroi Thunberg në Twitter të enjten, duke shtuar se ‘kur shteti ndjek politikë klimatike që kërcënon të drejtat tona të njeriut, ai shkel ligjin’.

Më vonë, ajo vuri në dukje gjithashtu se e ‘Premtja e Zezë’, e cila shënon fillimin e sezonit të blerjeve të Krishtlindjeve, është gjithashtu një simbol i mbikonsumit dhe se dita ‘është e përsosur për të paditur shtetin’ për klimën.

Para padisë, ‘Aurora’ shkroi një letër të hapur drejtuar disa zyrtarëve të lartë suedez, duke përfshirë kryeministrin Ulf Kristersson dhe ministren e Klimës Romina Pourmokhtari, duke kërkuar, ndër të tjera, që Suedia ‘të bëjë pjesën e saj të drejtë’ në pakësimin e emetimeve të gazeve serrë për të kufizuar rritjen e temperaturës mesatare globale në 1.5 gradë C (2.7 F) në krahasim me nivelet paraindustriale.

Qeveria e re suedeze e formuar në tetor hoqi Ministrinë e Mjedisit, një masë e kritikuar gjerësisht, ndërsa ia dorëzoi detyrat e saj Ministrisë së Ndërmarrjeve dhe Inovacionit.