Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan po merr pjesë në tubimin e tij të parë që nga plagosja me armë, rreth tre javë më parë.
Kjo është njëkohësisht paraqitja e tij e parë publike pas atentatit.
Sipas BBC-së, turma të mëdha janë mbledhur për të dëgjuar fjalimin e tij në qytetin Rawalpindi, ku ai pritet të përsërisë thirrjet për zgjedhje të parakohshme.
Autoritetet kanë vendosur postblloqe dhe i kanë kërkuar Khan të anulojë tubimin, duke përmendur rrezikun e dhunës.
Një person u vra dhe disa të tjerë u plagosën gjatë sulmit tre javë më parë, kur Khan drejtonte një marshim, i cili duhej të përfundonte në kryeqytet, Islamabad.
Vetë Khan u plagos në këmbën e djathtë dhe iu nënshtrua një operacioni.
Ai ka akuzuar qeverinë për komplotimin e sulmit në Wazirabad. Por autoritetet i kanë hedhur poshtë akuzat.