Falimentimi i bursës FTX e ka bërë rregullimin e industrisë së kriptomonedhave një çështje më urgjente, sipas kryetarit të ri të mbikëqyrësit global të letrave me vlerë IOSCO.
Jean-Paul Servais i tha Reuters se synimi i platformave të tilla ‘konglomerate’ do jetë fokusi për vitin 2023.
Në një intervistë me agjencinë e lajmeve, ai tha se rregullimi i platformave të kriptove mund të bazohet në parime nga sektorë të tjerë që trajtojnë konfliktet e interesit, si për shembull në agjencitë e vlerësimit të kredisë dhe përpiluesit e standardeve të tregut, pa pasur nevojë të fillohet nga e para.
Ndërsa rregullatorët kanë qenë të ngadaltë për të shkruar rregulla të reja për asetet e kriptove si Bitcoin, falimentimi i FTX mund të ndihmojë në ndryshimin e kësaj, tha Servais.
“Ndjenja e urgjencës nuk ishte e njëjtë as dy apo tre vjet më parë. Ka disa mendime kundërshtuese nëse kriptot janë një çështje e vërtetë në nivel ndërkombëtar, sepse disa njerëz mendojnë se ende nuk është një çështje materiale dhe e rrezikshme.”
Shefi ekzekutiv shtoi: “Gjërat po ndryshojnë dhe për shkak të ndërlidhjes midis llojeve të ndryshme të bizneseve, mendoj se tani është e rëndësishme që ne të jemi në gjendje të fillojmë një diskutim për këtë.”
“Për arsye të mbrojtjes së investitorëve, ekziston nevoja për t’u dhënë qartësi shtesë këtyre tregjeve të kriptove përmes udhëzimeve të synuara në zbatimin e parimeve të IOSCO-s për asetet kripto.” – tha Servais, duke shtuar se IOSCO synon të publikojë një raport këshillimi për këto çështje në gjysmën e parë të vitit 2023.
FTX, e cila është e vendosur në Bahamas për shkak të ligjeve të lira tatimore, falimentoi më 11 nëntor në një skandal që i ka kushtuar investitorëve të kriptove më shumë se 11 miliardë dollarë. Skandali ka shkaktuar një krizë besimi në tregun e kriptomonedhave dhe ka shkaktuar rënien e vlerës së aseteve, përfshirë Bitcoin.